“Ajo çka dëgjova më shqetësoi” – A po informohet Lajçak për situatën në veri? Flasin nga EULEX-i - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Ajo çka dëgjova më shqetësoi” – A po informohet Lajçak për situatën në veri? Flasin nga EULEX-i

    Insajderi
    16 May 2023 - 17:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, përgjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë ka ngritur një shqetësim pas takimit që ka pasur me përfaqësues të serbëve në komunat veriore. Lidhur me këtë, është deklaruar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se EULEX-i do të duhej që ta informonte emisarin evropian për situatën në veri. Për krejt këtë situatë, EULEX-I ka dhënë detaje për Gazetën Insajderi.

    Të pyetur nëse Lajçak është i informuar për situatën në veri, misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë kanë thënë për Insajderin se dërgojnë raporte të rregullta “mbi situatën e sigurisë dhe vakumin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës” tek Lajçak dhe një numër zyrtarësh evropianë.

    “Rezultatet e aktiviteteve monitoruese të EULEX-it përfshihen në raportet e rregullta mbi situatën e sigurisë dhe vakumin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës, që dërgohen tek një numër i zyrtarëve të BE-së, përfshirë PSBE për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit perëndimor Miroslav Lajčák”, deklaruan nga Zyra e Informimit të EULEX-it.

    Nga kjo zyrë është thënë se EULEX-i po monitoron mbi 60 raste tek serbët e Kosovës që mund të ndikojnë në raporte ndërkomunitare.

    “Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke përcjellë nga afër zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë së Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë si dhe këshilltarëve tanë policorë të lartë dhe stafit tjetër të pranishëm në atë zonë, në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Përveç kësaj, Misioni, përmes Njësisë së tij për Monitorimin e Rasteve, vazhdon të monitorojë nga afër mbi 60 raste që përfshijnë serbë të Kosovës, apo që mund të ndikojnë në raportet ndërkomunitare”, deklarojnë më tej ata për Gazetën Insajderi.

    Lajçak përpara katër ditësh vizitoi Prishtinën dhe Mitrovicën e Veriut. Përgjatë vizitës në komunën veriore, ai u takua me përfaqësues të komunitetit serb atje. Pas takimit, emisari evropian tha se ajo çfarë dëgjoi nga përfaqësuesit e serbëve në veri e shqetësoi atë.

    “Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me përfaqësues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, deklaroi Lajçak në ‘Twitter’ teksa informonte për takimin.

    Për të njëjtën çështje u deklarua edhe numri dy i Qeverisë, Besnik Bislimi. Ai tha se Lajçaku është informuar për problemet që janë hasur në disa ndërtesa në komunat veriore. I njëjti ka kritikuar edhe EULEX-in, institucion ky për të cilin tha se do duhej ta kishte informuar ndërmjetësuesin evropian për gjendjen në veri.

    “Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak”, deklaroi ai.

    Lajçak pas takimit që pati në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para mediave tha se mes Kosovës ose do të ketë stabilizim ose konfrontim.

    “Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim dhe duam të fokusohemi tërësisht në normalizim, ndaj duam të shmangim çdo përshkallëzim, që nuk është në interesin e askujt”, tha ai. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark