
Daniel Dubois ngjalli shqetësim dhe frikë për një tërheqje të mundshme në minutat e fundit të së shtunës mbrëma, pas një situate të pazakontë përpara ndeshjes së tij në peshat e rënda kundër kampionit të unifikuar, Oleksandr Usyk.
Britaniku 27-vjeçar, aktualisht kampion i peshave të rënda në versionin IBF, do të përballet me Usyk në Wembley, në një përballje që synon të shpallë kampionin e padiskutueshëm të kësaj kategorie.
Përpara sfidës së shumëpritur, Usyk u shfaq i relaksuar dhe i qetë, madje mbërriti në Wembley rreth orës 19:00 për të ndjekur disa nga miqtë e tij që garonin në duelet paraprake.
Ndryshe nga ai, Dubois u vonua ndjeshëm, çka ngjalli shqetësim të madh mes komentatorëve të DAZN, të cilët konfirmuan se britaniku nuk kishte mbërritur në vendngjarje as 90 minuta para fillimit të ndeshjes kryesore.
Sipas një raporti të World Boxing News, mosparaqitja në kohë e Dubois shkaktoi “valë tronditëse” në ekipin e eventit dhe transmetuesit kërkonin me ngulm të dinin nëse boksieri kishte arritur në stadium. Edhe sigurimi dhe zyrtarët e organizimit kërkuan përditësime mes shqetësimit të shtuar.
Për fat të mirë, pak para orës 20:20, Dubois mbërriti më në fund në Wembley, i qetë dhe i përqendruar, shoqëruar nga motra e tij Caroline.