Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka arritur që brenda vitit 2015, të ketë 1 mijë e 500 euro rritje nga të hyrat krahasuar me vitin e kaluar, kryesisht nga shitja e librave dhe botimeve të financuara nga ajo, por në të njëjtën kohë ka shpenzuar pa planifikim mbi 50 mijë euro.
Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, ka identifikuar dy blerje kapitale të cilat nuk ishin planifikuar në planin e prokurimit: blerja e veturës për ASHAK e cila ka kushtuar 24 mijë e 900 euro dhe blerja e pianos në vlerë prej 24 mijë e 600 euro, raporton Insajderi.
Sipas auditorëve, “blerjet jashtë planit tregojnë për një planifikim jo të mirë dhe me kohë të nevojave të institucionit”, ndërsa kryetarin e Akademisë e kanë sugjeruar që të bëjë planifikim më të mirë të blerjeve.
E pasuria që posedon ASHAK, deri në fund të vitit 2015, sipas auditorëve, kap shumën e afro 200 mijë eurove.
“Deri në fund të vitit 2015, vlera neto e pasurive mbi 1,000€ në regjistrat e SIMFK dhe të shpalosura në PVF ishte 96,089€. Pasuritë nën 1,000€ ishin 80,000€ ndërsa stoqet 396,000€”, thuhet në raportin e auditorëve./Insajderi.com