
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar sërish ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të disa komunave, përfshirë Ferizajin, Lipjanin dhe komuna të tjera, që ka ndodhur sot.
“Ky bllokim i radhës po e paralizon funksionimin e institucioneve komunale dhe rrezikon ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, përfshirë shërbimet publike, dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës. Edhe pse këto bllokime ndërlidhen me vendime përmbarimore, ato janë rezultat i mungesës së zgjidhjes nga niveli qendror për detyrimet që nuk janë krijuar nga vetë komunat, siç është rasti i kontratave kolektive. Komunat nuk mund të mbajnë përgjegjësi për vendime që nuk i kanë marrë vetë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga AKK.
Tutje nga AKK kërkojnë lirim urgjent të xhirollogarive.
“Bllokimi i komunave është bllokim i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe duhet të marrë fund menjëherë. AKK kërkon lirimin urgjent të xhirollogarive dhe zgjidhje të qëndrueshme ligjore dhe financiare, që mbron funksionimin e komunave dhe respektimin e autonomisë së pushtetit lokal”.