
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Valbona Dibra, do të mbajë njëren prej tri posteve më të rëndësishme menaxheriale në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Dibra ka qenë deputete e partisë më të madhe në vend në legjislaturën e katërt, gjatë viteve 2010-2014.
Nuk ka arritur që të bëhet sërish ligjvënëse edhe në legjislaturën e pestë. Tash e tutje do të mbajë postin e zv/drejtoreshës së Shitjes në AKP.
Ka marrë sot miratimin nga Bordi i Drejtorëve të kësaj agjencie shtetërore. AKP-ja njoftoi sot për plotësimin e tri posteve të rëndësishme menaxheriale. Plotësimi i këtyre tri pozitave është zvarritur për muaj të tërë. AKP është kritikuar në vazhdimësi se po e zvarrit emërimin e drejtorëve të rinj, pasi që koalicioni PDK-LDK ende nuk kishte vendosur se kush duhet të dërgohej në poste kyçe.
“Në këtë takim, Bordi i Drejtorëve me konsensus të plotë emëroi z. Ekrem Hajdari në pozitën e Drejtorit Menaxhues të AKP-së, z. Avni Jashari në pozitën e Zv. Drejtorit Menaxhues për Likuidim dhe znj. Vabona Dibra, Zv. Drejtoreshë për Shitje”, thuhet në njoftimin e AKP-së. Mandati i të emëruarve është 3 vjeçar dhe nis më 1 qershor.