Agjencia Kosovare e Privatizimit, me ndihmën e Policisë së Kosovës, e ka marrë nën kontroll kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit.
Një gjë të tillë për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Ai ka njoftuar se aksioni ka ndodhur në mesditë.
“Sot rreth orës 12:00 kemi asistuar AKP-në në marrjen nën menaxhim të kompleksit hotelier Rajska Banja”, ka thënë Elshani.
Ky kompleks, sipas disa raportimeve, ishte përdorur edhe për vendosje të armatimit nga grupi terrorist serb për sulmin në Banjskë.
Ky kompleks është financuar e promovuar nga Qeveria e Serbisë, përmes së ashtuquajturës Zyra për Kosovën. Pjesë e inaugurimit të saj ishte dikur drejtori i kësaj zyre, tash ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq. /Insajderi.org/