
Një aksident i pazakontë ndodhi të shtunën në qytezën e Bohmte në Gjermani. Një makinë me shpejtësi doli nga rruga dhe përplasi një djalë 7-vjeçar që është në gjendje kritike. Makina u hodh në ajër dhe u përplas në çatinë e një hambari 3 metra mbi tokë.
Sipas një hetimi paraprak të policisë, makina fillimisht doli nga rruga dhe u përplas me një makinë të parkuar në një fermë dhe më pas me dy gardhe. Sipas policisë, makina më pas u fut në kopshtin e një shtëpie fqinje dhe aty goditi një trampolinë në të cilën po luante djali 7-vjeçar.
Në mënyrë të çuditshme makina u katapultua në ajër, ndoshta për shkak të një gunge në rrugë dhe goditi hambarin në afërsi të çatisë. Sipas policisë, në makinë ndodheshin 5 persona, përfshirë 3 fëmijë të moshës 11, 12 dhe 13 vjeç.
Edhe një pasagjer 43-vjeçare u plagos rëndë ndërsa të tjerët pësuan lëndime të lehta. Të pesë u transportuan në spitalet aty pranë me ambulancë. Siç raportoi policia, shoferit 42-vjeçar iu mor një mostër gjaku.
Leja e tij e drejtimit dhe automjeti u konfiskuan me urdhër të prokurorisë publike. Sipas zëdhënësit të policisë, ai mund të mos ketë marrë ilaçet e nevojshme gjë që solli aksidentin e rëndë. Makina u hoq nga çatia e hambarit me ndihmën e një vinçi.