Mbrëmjen e sotme në Prishtinë ka vdekur një person si pasojë e një aksidenti në afërsi të Stacionit të Autobusëve, tek rrethrrotullimi, ku një veturë ka goditur një çiklist.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti
“Sot rreth orës 20:40 kemi pranuar informatën se në afërsi të Stacionit të Autobusëve, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshira, një biçikletë dhe një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar çiklisti, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë . Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Ahmeti.
Ajo bëri të ditur se aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësi i automjetit është shoqëruar në stacion policor.