Të paktën tre persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë autobusi në Norvegji, raportojnë mediat shtetërore.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30, me orën lokale, në distriktin Hadsel, në bregun veriperëndimor të vendit. Autobusi doli nga rruga dhe përfundoi pjesërisht në liqenin Åsvatnet, sipas raportimeve të transmetuesit publik NRK.
Në momentin e aksidentit, në bord mendohet të kenë qenë 58 pasagjerë.
Kryqi i Kuq Norvegjez njoftoi se ka dërguar ekipe të emergjencës për të ndihmuar në një “aksident të rëndë autobusi” në rrugën E10.
Zona ku ndodhi ngjarja po përballet me kushte të vështira atmosferike, përfshirë reshje të dendura dëbore dhe erëra të forta, të cilat mund të kenë kontribuar në aksidentin tragjik.
Autoritetet janë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkaqet e aksidentit.