
Familjet e katër prej pasagjerëve që humbën jetën në aksidentin ajror të Air India, i cili ndodhi në qershor në Ahmedabad të Indisë, kanë dorëzuar një padi në Shtetet e Bashkuara kundër kompanisë prodhuese të avionëve Boeing dhe kompanisë Honeywell, e specializuar në prodhimin e pjesëve të këmbimit për avionë.
Të afërmit e viktimave akuzojnë të dyja kompanitë për neglizhencë që, sipas tyre, çoi në tragjedinë që mori 260 jetë, përfshirë 229 pasagjerë, 12 anëtarë të ekuipazhit dhe 19 persona në tokë.
Fluturimi AI171 i Air India, me destinacion aeroportin Gatwick në Londër dhe i operuar nga një avion Boeing 787 Dreamliner, u rrëzua vetëm pak çaste pas ngritjes nga pista.
Padia, e dorëzuar të martën dhe e siguruar nga BBC, pretendon se shkaku i aksidentit ishin çelësat e karburantit me defekt, ndërsa akuzon kompanitë se “nuk ndërmorën asnjë veprim”, megjithëse ishin në dijeni të rreziqeve të lidhura me dizajnin e avionit.
Çelësat e karburantit janë kthyer në fokusin kryesor të hetimeve, pasi një hetim paraprak konstatoi se furnizimi me karburant drejt motorëve u ndërpre vetëm disa sekonda pas ngritjes së avionit nga pista.
Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) ka deklaruar më herët se çelësat e kontrollit të karburantit në avionët Boeing janë të sigurt.
Megjithatë, padia argumenton se të dyja kompanitë kishin dijeni për rrezikun e rrëzimit që nga faza e zhvillimit dhe promovimit të avionit 787 Dreamliner dhe komponentëve të tij.
Ajo i referohet një rekomandimi të FAA-së të vitit 2018, i cili u bënte thirrje (por nuk i detyronte) operatorëve të avionëve që të inspektonin mekanizmin bllokues të çelësave të karburantit, për të shmangur lëvizjen e tyre të paqëllimshme, gjë që mund të çonte në ndërprerje të furnizimit me karburant.
Në rastin e fluturimit AI171, sipas raportit paraprak të autoriteteve indiane, çelësi ishte zhvendosur nga pozicioni “funksionim” (run) në “ndërprerje” (cut-off), duke ndalur fuqinë që siguronin motorët e avionit.
Familjet e viktimave argumentojnë se kjo përbën një “mangësi të rëndë në dizajn”, e cila “lejoi ndërprerjen e paqëllimshme të furnizimit me karburant dhe humbjen totale të shtytjes, e domosdoshme për fluturimin”.
Sipas padisë, Honeywell dhe Boeing “nuk ndërmorën asnjë masë për të parandaluar këtë katastrofë të pashmangshme”.
Raporti përfundimtar mbi shkaqet e rrëzimit pritet të publikohet gjatë vitit 2026.