Rizah Hasani është i riu që vdiq para gati dy javësh, si shkak i një aksidenti në Ferizaj teksa po barte materialin ndërtimor. Ai po punonte për “Bageri”-n, firmën e biznesmenit Bujar Shabani. Familjarë të tij kanë hedhur dyshime se shteti po asiston në mbylljen e kësaj çështje. Vëllai i tij ka thënë se e ka vlerësuar si “vetëvrasje” kur ka parë se rasti është cilësuar si vetaksident nga autoritetet policore.
Rizah Hasani vdiq në vendin e punës teksa po ngiste kamionin e firmës ‘Bageri’. Vëllai i Rizah Hasanit, Valon Hasani, thotë se familja e tij kanë dyshuara të mirë-bazuara në fakte se kamioni i cili po e ngiste ishte i mbi-ngarkuar me material ndërtimor.
Valon Hasani në një intervistë ekskluzive për Insajderin ka ngritur dyshime të mëtutjeshme, teksa ka shtuar se kur ka qenë prezent në vendngjarje, ka parë që është modifikuar kamioni me të cilën humbi jetën vëllai i tij, Rizah Hasani.
Pos tjerash, ai është ankuar për neglizhencë nga ana e Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin. Siç thotë ai, kur i ka kërkuar prokurorit të rastit ta hetojë çështjen e kamionit, ky i fundit ka thënë se s’mund të bëhet një gjë e tillë meqë materiali ndërtimor është derdhur gjatë aksidentit.
I njëjti ka bërë të ditur edhe se biznesmeni Bujar Shabani i kishte kërkuar që t’ia kryente shërbimet e varrimit Rizah Hasanit, mirëpo që vëllai i tij, Valoni, s’kishte pranuar.
Rizah Hasani humbi jetën në një aksident më 12 korrik të këtij viti. Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së tij kishte ndodhur në rrugën e njohur si “Reka e Vogël” në Ferizaj.
Gazeta Insajderi kishte siguruar pamje nga vendi i ngjarjes atje, ku shihej kamioni i rrokullisur.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, në një prononcim për Insajderin kishte thënë se “në rrethana ende të panjohura, shoferi ka humbur kontrollin mbi kamionin dhe është rrukollisur poshtë rrugës disa metra”.
“Më 11.07.2024 rreth ores 13:30 kemi pranuar një informatë se në fshatin Jezerc të Ferizajt, tek vendi i quajtur ” Reka e Vogël ” është një aksident ku është përfshirë një kamion trasportues. Ekipe të policisë, njësitet e rendit dhe hetuesit policorë të aksidenteve të Njësisë së Konunikacionit Rrugor kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë mësuar se si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën shoferi i kamionit, shqiptar, kosovar i moshës madhore, vdekja e të cilit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjekët të Emergjencës së Ferizajt. Nga hetimet e para dyshohet se kamioni ka qenë në lëvizje nga Ferizaj në drejtim të fshatit Jezercë dhe me të arritur tek vendi i quajtur ” Reka e vogël” në rrethana ende të panjohura, shoferi ka humbur kontrollin mbi kamionin dhe është rrukollisur poshtë rrugës disa metra. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, thuhet përgjigjen e policisë së Ferizajt.