
Është arrestuar personi që drejtonte kamionin e aksidentuar pasditen e së mërkurës në aksin Lezhë-Shëngjin.
Më herët u bë e ditur se në këtë aksident humbi jetën në vendngjarje 30-vjeçari, drejtues i automjetit dhe më pas, në spital vdiq pasagjerja 40-vjeçare.
“Në vijim të informacionit të dhënë pasditen e djeshme, për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Lezhë-Shëngjin”, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin 25 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen”.
“Nga përplasja e kamionit që drejtonte shtetasi Gj. D. me automjetin që drejtonte shtetasi P. Z., 30 vjeç, humbi jetën në vendngjarje 30-vjeçari dhe u dëmtua rëndë pasagjerja në automjetin e tij, shtetasja 40 vjeçe, e cila ka humbur jetën në spital”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.