×
  • Lajme
  • Lajme

    Aksidenti tragjik – 4 viktimat përcillen në banesën e fundit, pamje të trishta

    Insajderi
    26 June 2021 - 10:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pamje që prekin zemrat! Ka nisur ceremonia mortore për 4 anëtarët e familjes Gushi, të cilët humbën jetën dje në një aksident në autostradën Levan-Vlorë.  Ata janë përcjellë sot për në banesën e fundit në Patos mes loteve dhe dhimbjes së madhe të të afërmve por edhe të banorëve të Patosit.

    Ngjarja ka tronditur thellë mbarë opinionin publik. Bashkia e Patosit njoftoi dje se do të merrte përsiper të mbulonte të gjitha shpenzimet për ceremoninë mortore. Dje, në Tiranë u zhvillua dhe një protestë para Ministrisë së Brendshme, pas aksidentit tragjik.

    Bashkëshortët dhe dy fëmijët e tyre kanë gjetur vdekjen, pasi automjeti tip “Toyota”, me të cilin ata udhëtonin, përfundoi jashtë rruge pas një përplasjeje me një automjet tjetër, me të cilin udhëtonin tre persona.

    Për pasojë, nga aksidenti kanë gjetur vdekjen Eduart Gushi, 44 vjeç, Silvana Gushi, 33-vjeçe, si dhe vajzat e tyre Anastasia dhe Eva Gushi, përkatësisht 14 dhe 9 vjeçe. Ndërsa tre prej pjesëtarëve kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, njëra prej vajzave ndërroi jetë gjatë transportit për në Spitalin Rajonal të Vlorës.

    Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, që udhëtonin me automjetin e dytë që u përfshi në aksident, përkatësisht Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi.

    “Rreth orës 08:23, në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur ‘Kripa’, një mjet tip ‘Audi’ është përplasur me një mjet tip ‘Toyota’. Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin ‘Toyota’, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe. Ndërkohë, në Spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin ‘Audi’, I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, sqaroi Policia e Vlorës.

    Familja ishte kthyer nga Greqia për të kaluar pushimet në vendlindje.

    PËRPLASJA
    Aksidenti fatal që u mori jetën katër personave mëngjesin e djeshëm në vendin e quajtur “Kriporja”, pranë fshatit Panaja të Vlorës, dyshohet se ka ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara.

    Një automjet luksoz tip “Audi’, që udhëtonte me 150 km/h, përplasi nga mbrapa automjetin tip ‘Toyota’ me targa greke, me të cilin udhëtonte familja nga Patosi, që ishte kthyer në vendlindje për të kaluar pushimet. Përplasja ka qenë aq e fortë saqë automjeti me katër pjesëtarët e familjes Gushi është shkatërruar plotësisht, duke i bllokuar ata brenda.

    Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse që kanë prerë llamarinat e automjetit me fresibël për të nxjerrë trupat. Tre prej pjesëtarëve të familjes ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa vajza më e vogël, e cila u nxor e para nga mjeti i shkatërruar, ndërroi jetë gjatë transportit për në spital pak momente më vonë.

    Automjeti tip “Audi”, me vlerë rreth 100 mijë euro, për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit nga drejtuesi, ka shkatërruar një shtyllë elektrike pranë rrugës dhe më pas ka përfunduar në një kanal rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi aksidenti, duke krijuar edhe një gropë.

    ARRESTIMI
    Pas aksidentit tragjik në autostradën Fier-Vlorë, ku u shua familja katër anëtarëshe, Policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit të dytë, tip “Audi”, i cili dyshohet si shkaktar i ngjarjes së rëndë.

    Në pranga përfundoi Ilgi Madani, 22 vjeç, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës, ndërsa ndodhet në spital pasi mbeti edhe vetë i plagosur për shkak të përplasjes së fortë.

    Policia thotë se i riu, banues në Tiranë, drejtonte automjetin tip “Audi”, i cili dyshohet se ka humbur kontrollin, duke goditur nga mbrapa makinën tjetër dhe për pasojë ka shkaktuar aksidentin tragjik.

    “Në aksin rrugor Fier-Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip ‘Toyota’ me drejtues shtetasin E. G., 44 vjeç, dhe si pasojë ndërruan jetë 4 shtetasit që udhëtonin me mjetin ‘Toyota’. Gjithashtu, si pasojë ka mbetur i dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit ‘Audi’ dhe dy pasagjerët, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, sqaroi Policia.

    Mësohet se automjeti luksoz që drejtohej nga 22- vjeçari ishte në pronësi të babait të tij.

    Paraprakisht, thuhet se shoferi nuk ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa nuk dihet nëse ka konsumuar lëndë narkotike. Gjithçka pritet të zbulohet pas analizave të gjakut.

    Materialet në ngarkim të 22-vjeçarit Igli Madani, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

    DËSHMIA: KISHIN VITE NË GREQI, ERDHËN PËR PUSHIME
    Familja Gushi me origjinë nga Dukasi i Patosit jetonte prej vitesh në shtetin helen. Ata ishin kthyer për pushime në vendlindje dhe mëngjesin e djeshëm kur ndodhi aksidenti tragjik, po shkonin drejt Vlorës ku kishin edhe disa të afërm.

    “Familje e shkëlqyer. Kishte ikur në Greqi për një jetë më të mirë. Kishin rreth një vit gjysmë apo dy vjet që nuk vinin. Ikën për të punuar. Të gjithë jetojnë në Greqi. Shtëpia është e mbyllur. Eduardi shkoi drejt Vlorës ku kishte njerëzit e gruas”, tha kushëriri i viktimave.

    Ka 2 vjet që nuk e kam parë të jetë kthyer, sivjet do ketë ardhur”, tha fqinji i tyre në Patos.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark