
Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar sot në tri rajone të Kosovës, me qëllim goditjen e trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike.
Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili shtoi se operacioni është rezultat i një pune të gjatë operative dhe hetimore nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale.
“Sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Gjatë këtij operacioni janë kryer kontrolle në tri rajone të ndryshme të Kosovës, në një numër të konsiderueshëm lokacionesh, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe krimeve kibernetike,” deklaroi Kelani.
Ai nuk dha detaje rreth konfiskimeve apo arrestimeve të mundshme, por bëri të ditur se të gjitha veprimet e mëtejme do të zhvillohen në koordinim me organet e drejtësisë dhe se informacione të tjera do të bëhen publike pas përfundimit të aksionit.
Policia e Kosovës ka paralajmëruar se do të vazhdojë me veprime konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprave penale që rrezikojnë rendin dhe sigurinë në vend.