
Fadil Fazliu është arrestuar nga hetuesit e EULEX’it me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës.
Lajmin e ka bërë të ditur i biri i tij, Fahri Fazliu, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’. Fadil Fazliu është vëllai i heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu, shkruan Insajderi.
Ai ka thënë se Fazliu pritet të dërgohet në Hagë.
“Të nderuar miq, shokë, dashamirë dhe kolegë! Sot, paradite rreth orës 8:00 të mëngjesit para banesës së tij kanë arrestuar babain tim, Fadil Fazliun, luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Me urdhërë të Dhomave të Specializuara të Hagës është arrestuar dhe pritet të dërgohet për në Hagë. Ballëhapur, kokëlart dhe gjithmonë krenar me të kaluarën tonë të lavdishme”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Me urdhër të Speciales është arrestuar mëngjesin e së enjtes edhe ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilajn.
Një gjë të tillë për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur i biri i tij, Blendi Kilaj.
Ai tha për Insajderin se arrestimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, teksa nuk iu është bërë e ditur arsyeja e arrestimit.
Tutje, ai shtoi se Kilaj pritet të niset për në Hagë. /Insajderi.org/