Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Hidrodrini”, Njësia Operative – Klinë, ka realizuar një aksion të gjerë për çkyçjen e konsumatorëve borxhlinj në qytetin e Klinës dhe fshatrat përreth, duke përfshirë Ujmir, Siqevë, Gjurgjevik i Madh, Dush dhe Jashanicë.
Në këtë aksion morën pjesë inspektorët e njësisë operative, të mbështetur nga Policia e Kosovës.
Përmes një njoftimi në Facebook, KRU “Hidrodrini” ka bërë të ditur se gjatë aksionit, një pjesë e konsumatorëve borxhlinj kanë shlyer borxhet me pagesë të menjëhershme dhe kanë dorëzuar dëshmi bankare. Kompania thekson se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në zonat e tjera të mbulueshmërisë së saj.
“Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Hidrodrini’, fton konsumatorët shtëpiak, komerical dhe industrial, të zonës së saj të mbulueshmërisë, në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik që deri më datë 31 Janar 2025, të kryejnë pagesën e borxheve të akumuluara të ujit shpenzuar” kanë shkruar ata.
Ndërkohë, “Hidrodrini” u bën thirrje konsumatorëve shtëpiakë, komercialë dhe industrialë që deri më 31 janar 2025 të kryejnë pagesën e borxheve të akumuluara për ujin e shpenzuar. Në të kundërtën, kompania paralajmëron se do të jetë e detyruar të zbatojë masa.
Kompania apelon që konsumatorët të marrin masa paraprake për të shmangur ndëshkimet.