Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për ndalimin e 37 personave gjatë aksionit të zhvilluar një ditë më parë, nëpër rajone të ndryshme të Kosovës.
Ky aksion ka qenë vazhdimësi e operacionit të zhvilluar me 18 shtator 2020, në zonën e Karaçevës, shkruan Insajderi.
Në total numri i të arrestuarve ka arritur në 59.
Nga Prokuroria kanë bërë të ditur arsyet pse është ndërmarr një aksion i tillë.
“Operacioni i sotshëm është zhvilluar për shkak të dyshimeve të bazuara se në lokacionet e lartcekura janë zhvilluar veprimtari kriminale, përfshirë kontrabandimin me mallra, vënien në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, blerjen, pranimin ose fshehjen e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale dhe organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Mes tjerash theksohet, se si rezultat i aksionit të sotshëm janë ndaluar gjithsej 22 persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në aktivitete kriminale, ndaj të cilëve brenda afatit ligjor do të kërkohen masat për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata kompetente në Gjilan.
“Gjatë ekzekutimit të urdhërkontrolleve, në 11 lokacione që lidhen me subjekte ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizik, janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve dhe artikujve të dëmshëm ushqimor, mjete që kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale, si dhe prova tjera që do të shërbejnë në procedurë të mëtejme penale”, vijon njoftimi.
Ndërsa, numri i personave të ndaluar që nga fillimi i këtij aksioni ka shkuar në 59.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin./Insajderi.org