Policia e Kosovës përgjatë së premtes (28 qershor) ka zhvilluar një aksion në tri barnatore në Pejë, ku janë konfiskuar 144 paketime të barnave të ndryshme dhe është arrestuar një person.
Gazeta Insajderi ka mësuar se personi i arrestuar është Noli Zhitia, ndërsa nën hetime ka qenë ‘Index Pharm’ në tri pika.
Në intervistimin përpara policëve, Zhitia ka deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje ndaj pyetjeve që iu janë bërë.
“Unë ju kam dërguar vetëm kontratat e punëmarrësve të mi (licencat e biznesit tim). ndërsa sa i përket procesverbaleve te lëshuara nga inspektorët farmacisë, unë e kam nënshkruar vetëm atë ne njësisë nr katër(4) por dhe njësive një dhe dy (1-2), ndërsa porcesverbalet e kontrollit te policisë njërin e kam nënshkruar në njësinë katër(4) ndërsa për njësinë 1 dhe 2 i kam nënshkruar brenda ne objektin e policisë”, ka deklaruar ai ndër të tjera në procesverbalin që ka parë Insajderi.
“Nuk kam asgjë për të deklaruar me tepër, por ketë deklaratë e njoh si të imën dhe te njëjtën e nënshkruaj pas leximit te saj. Unë deklaroj se e ndej vetëm krejtësisht te pafajshëm ne ketë rast, ngase unë ne asnjë rast nuk kam ber shkelje ligjor te duke tejkaluar kompetencat e mia”, ka shtuar tutje i dyshuari.
Insajderi ka komunikuar me mbrojtjen e ‘Index Pharm’, Shendrita Muriqi-Berisha e cila deklaron se i mbrojturi i saj ka vendosur të mbrohet në heshtje, ndërsa për opinionin shton se ‘Index Phram’ “nuk merret me prodhim apo shpërndarje e produkteve të dëmshme mjekësore siç pretendon Prokuroria”.
Në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Pejë, njësitet policore në koordinim me inspektorët farmaceutik kanë kontrolluar tri barnatoret e ‘Index Pharm’.
Gjatë kontrollit janë gjetur e konfiskuar 144 paketime të barnave të ndryshme.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. /Insajderi.org/