Në orët e pasdites së ditës së enjte, Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka zbarkuar në disa pika të laboratorit “Avicena”.
Janë kontrolluar 36 lokacione të ndryshme në Prishtinë, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”.
19 lokacione u mbyllën, 5 rezultuan që s’janë aktive, ndërsa 9 të tjera do të vazhdojnë punën me masat e shqiptuara.
Si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar tri pistoleta, gjashtë armë të gjata, 589 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një telefon, dy shtëpiza kompjuteri, shtatë DVR dhe dokumente të ndryshme.
Si të dyshuar për rastin janë intervistuar katër persona.
Në cilësinë e personave zyrtarë është intervistuar Ragip Hyseni, zyrtar i MSH-së, Kryesues i Bordit për Licencimin e Institucioneve Private Shëndetësore, pozitë kjo të cilën paraprakisht e ka pasur deputeti i Kuvendit të Kosovës, ish-zyrtari i MSH-së, Isak Shabani, i cili po ashtu është intervistuar në lidhje me këtë rast.
Siç merr vesh Sinjali, këta të fundit dyshohet se kanë lëshuar licenca pa u siguruar nëse janë plotësuar kushtet sipas ligjeve në fuqi.
Ndërkaq, nga ‘Avicena’ si të dyshuar për rastin janë Amar Shuki, Driton Shuki dhe Alban Shuki, dy prej të cilëve janë shoqëruar në Polici dhe janë intervistuar nga hetuesit.
Pas përfundimit të procedurave, të njëjtit janë lënë të lirë, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë.
Në dosjen për këtë rast thuhet se hetimet kanë filluar qe disa muaj dhe kanë përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore që kanë rezultuar me sigurimin e provave për veprimtari të kundërligjshme.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se pronarët e ‘Avicenca KS’, dyshohet se kanë nxjerrë raporte të analizave mjekësore dhe certifikata për patentë shofer jashtëligjshëm, ku si rrjedhojë janë prodhuar dokumentet që nuk kanë pasur të dhëna të sakta.
Për pasojë, dosja e hetimit thekson se me lëshimin e raporteve të tilla, është rrezikuar edhe shëndeti i qytetarëve, të cilët janë pajisur me këto raporte.