×
  • Lajme
  • Lajme

    Aksioni në Veri, reagon ambasada e SHBA-së: Keni instrumentalizuar policinë, veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në natyrën e bashkëpunimit

    Insajderi
    30 August 2024 - 21:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka kryer operacion policor në veri për ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar, pas kësaj duke thënë se janë të shqetësuar për veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara.

    Ambasada e SHBA-së thotë se veprimi i sotëm në Veri të vendit e rrit përkeqësimin e partneritetit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së.

    “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

    Ambasada e SHBA-së ka potencuar përkrahjen që ia ka dhënë Policisë së Kosovës prej vitesh dhe potencojnë se instrumentalizimi i vazhdueshëm i saj nga ana e Qeverisë për të kryer veprime të pa koordinuara s’është në përputhje me premtimin për vazhdim të konsultimeve dhe koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

    “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark