Dy ditë ma parë në Detin Baltik, teksa forcat e NATO-s ruanin kabllot nënujore, një avion zbulues i Forcave Ajrore Franceze u vu në shënjestër të ushtrisë ruse.
Ky ishte një tjetër incident mes Rusisë dhe Francës, i cili konfirmon veten si vendi perëndimor më i shënjestruar nga Putin.
“Është një akt lufte që mund të interpretohej si një sulm i hapur dhe i drejtpërdrejtë kundër avionit francez”, komentoi eksperti i aeronautikës dhe mbrojtjes Xavier Tytelman në rrjetin Tf1.
Avioni francez “Atlantic 2” u ngrit nga Brittany të mërkurën.
Ai kaloi gati pesë orë jashtë brigjeve të Suedisë dhe Balltikut, duke kontrolluar rreth 200 anije, kryesisht tregtare, pa pikasur asnjë anije të dyshimtë. Sipas dëshmitarëve avioni francez u vu në shënjestër nga radarët e ushtrisë ruse, një veprim që mund të kishte çuar “në përplasje”.
Në muajt e fundit, shumë kabllo nënujore të telekomunikacionit dhe furnizimit me energji janë dëmtuar në Detin Baltik, akte që shumë ekspertë dhe udhëheqës perëndimorë thonë se janë pjesë e “luftës hibride” të nisur nga Rusia kundër aleatëve evropianë të Ukrainës.
“Atlantic 2” sakaq ishte viktimë e një “përpjekjeje bllokimi dhe një sinjalizimi nga radari që ishte gati të hapte zjarr” , sipas një komunikimi nga ushtria franceze.
“Të drejtosh radarin drejt avionit tonë në ujërat ndërkombëtare është një veprim agresiv”, shpjegon koloneli Guillaume Vernet, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm Francez. Në zhargonin ushtarak, termi “ndriçim” i referohet aktit të synimit të një objektivi duke përdorur radar.
Një nismë e tillë “nuk është e jashtëzakonshme në këtë fushë” dhe “tregon se Rusia reagon ndaj nismave tona”, shtoi ai. Prandaj Rusia “e shprehu armiqësinë e saj në mënyrë të përmbajtur”, por “sjellja profesionale e ekuipazhit francez shmangi përshkallëzimin, duke lejuar vazhdimin e misionit”, deklaroi koloneli Vernet.
Incidenti me avionin francez është “tepër i rëndë dhe kapërcen shumë kufijtë e Europës”, komentoi gjenerali amerikan Christopher Cavoli, komandant i forcave të NATO-s në Evropë, gjatë një konference për shtyp në Bruksel.