×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Aktakuza e re ndaj Trump/ Reagon ish-presidenti: Përpjekje për të ringjallur gjuetinë e vdekur të shtrigave

    Insajderi
    28 August 2024 - 11:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith, ka ngritur një aktakuzë të re kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për tentativë të përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

    Aktakuza e re përqendrohet në rolin e Trump si kandidat politik që kërkonte rizgjedhjen, në vend se si president i vendit asokohe. Më 1 korrik, Gjykata Supreme tha se Trump gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet që i kishte ndërmarrë si president.

    Zyra e Prokurorit të Posaçëm tha se aktakuza e përditësuar, e dorëzuar në gjykatën federale në Uashington, “pasqyron përpjekjet e Qeverisë për t’i respektuar dhe zbatuar vendimet e Gjykatës Supreme”.

    Në një reagim në platformën e vet Truth Social, Trump e quajti aktakuzën e re “dëshpëruese” dhe “përpjekje për ta ringjallur gjuetinë e vdekur të shtrigave”. Ai tha se aktakuza e re i ka “të gjitha problemet e aktakuzës së vjetër dhe duhet të hidhet poshtë menjëherë”.

    Aktakuza e re heq referencat ndaj akuzave të cilat mund të cilësohen si veprime zyrtare për të cilat Trump gëzon imunitet, sipas vendimit të Supremes. Kjo përfshin akuzat se Trump u përpoq ta përdorte Departamentin e Drejtësisë në përpjekjet e tij të dështuara për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

    Gjykata Supreme tha në vendimin e saj se bashkëveprimi i presidentit me Departamentin e Drejtësisë është veprim zyrtar dhe për këtë ai gëzon imunitet.

    Aktakuza e re heq edhe referencat ndaj komunikimit të Trump me zyrtarët e qeverisë federale, si avokatë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët i kishin thënë atij se nuk kishte dëshmi për mashtrim që do ta ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve 2020.

    Por, aktakuza e re përmban njërën prej akuzave më tronditëse të ngritura nga Smith, se Trumpi mori pjesë në një skemë të orkestruar nga aleatët për rekrutimin e pjesëtarëve “fake” zgjedhorë në terren në shtetet ku demokrati Joe Biden kishte fituar.

    Trump është sërish kandidat republikan për president në zgjedhjet e 5 nëntorit, dhe këtë herë ai do të garojë kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, e cila, sipas sondazheve, ka një epërsi të vogël ndaj tij në nivel kombëtar.

    Në maj, Trump u bë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

    Një gjykatë në Nju Jork e shpalli Trump fajtor për falsifikimin e regjistrave të biznesit për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    25 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark