Spitali Amerikan dhe Dukagjini Group kanë bërë një reagim publik mbi aktakuzën për falsifikim të dokumentave dhe pastrim parash.
Në reagimin e Spitalit Amerikan, thuhet se përmes kësaj aktakuze Prokuroria Speciale shpreh “nevojë për publicitet”. Ndër të tjera, thuhet se përfaqësuesi ligjor i Spitalit Amerikan s’e ka pranuar aktakuzën ende.
“Spitali Amerikan në Kosovë është thellësisht i shqetësuar për rrjedhjen e fundit të paautorizuar të aktakuzës, në të cilën institucioni ynë përmendet në cilësinë e palës së dyshuar. Në këtë moment, as ne dhe as avokati ynë nuk e kemi pranuar zyrtarisht aktakuzën. Kjo shkelje e konfidencialitetit minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gurëthemelet e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.
“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për nevojën e Prokurorisë Speciale për publicitet në këtë rast, pasi Prokuroria ka nxjerrë një njoftim publik lidhur me aktakuzën, para përmbushjes së detyrimit të saj për t’ia dorëzuar aktakuzën Spitalit Amerikan apo avokatit të tij. Detyra e Prokurorisë është të ofrojë fakte dhe jo të krijojë perceptim publik për fajësinë e të pandehurve apo të promovojë punën e saj publikisht, në barrë të palëve që i heton”, vijon reagimi.
“Zbulimi i parakohshëm i një informacioni kaq të ndjeshëm ndaj publikut, jo vetëm që komprometon të drejtën për një proces të drejtë, por gjithashtu ngre çështje serioze në lidhje me integritetin e procesit gjyqësor. Autoritetet duhet të fillojnë hetime për shkelje ligjore për shkak të rrjedhjes së aktakuzës në publik dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës për shkeljen e konfidencialitetit dhe detyrave zyrtare. Prandaj, presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast”.
Në reagim thuhet se pas pranimit të aktakuzës, do të reagojë avokati i Spitali Amerikan.
Ndërkaq, Dukagjini Group në reagimin e tyre duke komentuar aktakuzën thonë se “në pamundësi për të konkorruar me ne në tregun e hapur, dashakëqinjët përpiqjen të na dëmtojnë me akuza të fabrikuara”.
“Po sipas të njëjtës metodë, në mungesë të provave për këto akuza, veglat e këtyre dashakëqinjëve, përipiqen të krijojnë epërsi të padrejtë në opinionin publik me komunikata senazionaliste të pavërteta dhe me rrjedhje të informatave të gjymtuara”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Dukagjini Group po ashtu ka deklaruar se as ata s’e kanë pranuar aktakuzën dhe se në lidhje me të do të deklarohen në gjykatë. /Insajderi.org/