Aktakuzë kundër gjinekologëve që trajtuan të ndjerën Arbenita Spahiu - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktakuzë kundër gjinekologëve që trajtuan të ndjerën Arbenita Spahiu

    Insajderi
    19 May 2016 - 10:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar të enjten se ngritur aktakuzë kundër tre të pandehurve M. Sh., H. Z. dhe V. K., “për shkak se kanë kryer veprën penale trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor si dhe mosdhënia e ndihmës mjekësore.”

    Bëhet fjalë për Mexhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri, të arrestuara nga Policia e Kosovës në muajin mars si të dyshuara që nuk e kanë trajtuar siç duhet një paciente, Arbenita Spahiun, e cila vdiq në Spitalin e Gjilanit pas lindjes së fëmijës së saj të parë.               

    “Sipas aktakuzës, të pandehurat M. Sh dhe H. Z., me datë 3 mars 2016 në cilësinë e personave zyrtarë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e sallës së lindjes, me rastin e trajtimit të pacientes, tani të ndjerës A. S., gjatë dhënies së ndihmës mjekësore të lindjes, nga pakujdesia kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes duke i caktuar marrjen e barnave të cilat nuk kanë qenë mjete adekuate për të”, thuhet në njoftimin e sotëm të prokurorisë.

    “Për shkak të mostrajtimit të duhur dhe veprimeve të cilat mjekët është dashtë t’i ndërmarrin me kohë, ka ardhur deri tek vdekja e pacientes, me çka kanë kryer veprën penale, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260 paragrafi 4 lidhur me paragrafin  1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Po ashtu, në aktakuzë thuhet se e pandehura V. K., me datë 2 mars 2016, si mjeke kujdestare, në kundërshtim me detyrat e saj, ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes, tani të ndjerës A.S, para aktit të lindjes edhe pse ka qenë e vetëdijshme se mosveprimi i tillë mund të rezultojë me pasoja për shëndetin e pacientes dhe bebes së saj, si dhe ka refuzuar dhënien e ndihmës mjekësore duke thënë të njoftojnë mjekun tjetër kujdestar, me çka ka kryer veprën penale, mosdhënia e ndihmës mjekësore, thuhet në njoftimin e prokurorisë./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    04 October 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark