Prokuroria Speciale e Kosovës ka lajmëruar nëpërmjet një komunikate se ka ngritur aktakuzë ndaj 5 personave, nën dyshimin për shitblerjen e tokës me mashtrim.
Hetimet e kryera nga prokurori kanë shpërfaqin një skemë të krimit të organizuar qëllimi i të cilit ishte që, duke kryer shitblerje të tokës me mashtrim dhe legalizim të dispozitave kontraktuese false, t’i përfitojë, regjistrojë dhe bartë të drejtat e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme në dëm të serbëve të zhvendosur të Kosovës dhe pastaj në dëm të blerësve shqiptarë në komunat e Gjakovës, Pejës dhe Deçanit.
Këto vepra pronësore janë kryer gjatë periudhës ndërmjet viteve 2000 dhe 2012.
Shuma e përgjithshme e këtij mashtrimi vlerësohet të jetë 1 milion e 300 mijë euro.
“Këtë aktakuzë e ka parashtruar një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës pas hetimeve komplekse të kryera nga prokuroria e EULEX-it, Policia e Kosovës dhe Policia e EULEX-it”, thuhet në komunikatën për media./Insajderi.com