
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave të dyshuar për huliganizëm dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me ngjarjet e 13 tetorit 2021 në Mitrovicë të Veriut.
S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L. akuzohen se atë ditë kanë marrë pjesë me dashje në një turmë prej dhjetëra personash, e cila ka sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Doganës me gurë, shufra druri e metali, si dhe me granata dore, duke krijuar rrezik të përgjithshëm për sigurinë publike.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, së bashku me turmën, kishin ngritur barrikada dhe kishin sulmuar mjetet e blinduara të policisë me armë zjarri dhe mjete shpërthyese. Si pasojë e këtyre veprimeve, tre zyrtarë policorë – B.A., E.V. dhe S.A. – pësuan lëndime trupore.
Po atë ditë, në lagjen “Berxhane”, të akuzuarit I.V., M.V. dhe M.R. dyshohet se kanë sulmuar zyrtarë policorë e doganorë me bombola gazi dhe armë zjarri, duke goditur edhe automjetet zyrtare.
Turma më pas ishte drejtuar drejt një barnatoreje, ku janë lënduar pesë zyrtarë të tjerë policorë – M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M – ndërsa dëmi material i shkaktuar arrin mbi 20 mijë euro.