Aktakuzë për rastin në Kolovicë: Vrasje e dyfishtë për hakmarrje nga tregtia e narkotikëve, tre të arratisur - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktakuzë për rastin në Kolovicë: Vrasje e dyfishtë për hakmarrje nga tregtia e narkotikëve, tre të arratisur

    Insajderi
    20 September 2025 - 16:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Lum Halimajt dhe Kaltrim Gashit për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës, ku viktima mbetën E.H. dhe Z.G. Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda.

    Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim dhe Ahmet Berisha, si dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e plotë ndaj katër të pandehurve.

    Çka thuhet në pikën e parë të aktakuzës?

    Më 26 mars 2024, rreth orës 21:10, në rrugën “Butrinti” në Prishtinë, Ahmet dhe Naim Berisha, të armatosur, privuan nga jeta E.H. dhe vunë në rrezik jetën e Lum Halimajt, Kaltrim Gashit dhe Bilal Kqikut – i cili gjithashtu mbeti i vrarë.

    Sipas aktakuzës, motivi ishte hakmarrja për një tentim-vrasje të po asaj dite ndaj Naim Berishës, që lidhej me shitblerjen e narkotikëve. Ahmet Berisha shtiu nga vetura Golf 8, ndërsa Naimi, me armë Skorpion, shtiu disa herë duke e lënë të vdekur E.H.

    Prokuroria sqaron se Haziri ndërroi jetë nga gjakderdhja masive, për shkak të dëmtimeve fatale në zemër dhe mushkëri, ndërsa Bilal Kqiku pësoi lëndime të rënda.

    Për këtë, Ahmet dhe Naim Berisha ngarkohen me “Vrasje të rëndë” në bashkëkryerje.

    Çka thuhet në pikën e dytë të aktakuzës?

    Po atë datë dhe orë, në të njëjtën rrugë, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, në bashkëkryerje, me armë AK-47 privuan nga jeta viktimën Z.G. dhe vunë në rrezik jetën e Shkurta, Qamil Ragip Gashit, Elmedina Mavriqit dhe të pandehurve të tjerë.

    Sipas aktakuzës, Halimaj, Gashi, Kqiku dhe Haziri kishin nisur kërkimin për Naim Berishën që nga ora 15:17, me qëllim për ta vrarë. Në përleshje, Kqiku shtiu 6 herë dhe një nga plumbat goditi Z.G., e cila humbi jetën nga dëmtimi i arteries së këmbës. Elmedina Mavriqi mbeti e plagosur lehtë.

    Pas ngjarjes, Halimaj dhe Gashi tentuan të largohen me shpejtësi, duke transportuar të plagosurit në QKUK, ku më pas Kqiku dhe Gashi u larguan përkohësisht.

    Për këtë, Halimaj dhe Gashi akuzohen për “Vrasje të rëndë” në bashkëkryerje.

    Çka thuhet në pikën e tretë të aktakuzës?

    Ahmet dhe Naim Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, në kohën dhe vendin e njëjtë, kishin në posedim armë pa leje.

    Ahmet Berisha shtiu nga vetura, Naimi mbante armë Skorpion, Halimaj kishte kallashnikovin si shofer, ndërsa Kaltrim Gashi e fshehu armën e Kqikut pas ngjarjes.

    Për këtë, ata ngarkohen edhe me veprën penale “Mbajtja, posedimi ose kontrolli i paautorizuar i armëve”.

    Aktualisht, Naim dhe Ahmet Berisha, si dhe Kaltrim Gashi, janë në arrati, ndërsa procedurat ligjore ndaj tyre vazhdojnë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark