![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur ndarjen e granteve për fermerët. Ministri Faton Peci njoftoi se në komunën e Vushtrrisë do të implementohen 2.6 milionë euro grante vetëm për këtë kategori. Ai bëri të ditur se janë ndarë 100 mijë euro për një fermer në Komunën e Vushtrrisë.
Fermeri që do ta gëzojë këtë shumë është Faik Pronaj. Përpos punës si fermer, Pronaj është i përkushtuar edhe në politikë. Ai është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
100 mijë euro është vlera që Pronaj bashkë me dy djemtë e tij nga fshati Stanovc i Epërm i Vushtrisë kanë përfituar nga programi për Zhvillim Rural 2022.
Këto grante të cilat janë ndarë nga ministri Faton Peci do t’iu shërbejnë për investime në makineri bujqësore.
Gazeta Insajderi merr vesh që Pronaj është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që udhëheq me pushtetin tash më shumë se dy vite.
“Albin Kurti është gjeneral mbi gjeneralët”, “Revolucioni i Albin Kurtit”, “këngë kushtuar për Albin Kurtin”, janë këto disa nga postimet që i ka publikuar Faik Pronaj në rrjetin e tij social Facebook, në shenjë përkrahje për kryeministrin Kurti.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria Kurti i shpërblen aktivistët që i kanë shërbyer ndër vite.
Shumë prej tyre, Kurti i ka rehatuar edhe në pozitat e zëvendëministrave në qeverinë e tij. /Insajderi.org