Aktivisti i VV-së: Ky nuk është gjyqi i Vetëvendosjes terroriste, por i Astrit Deharit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Aktivisti i VV-së: Ky nuk është gjyqi i Vetëvendosjes terroriste, por i Astrit Deharit

    Insajderi
    07 December 2021 - 10:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjatë deklarimit rreth fajësisë, i akuzuari Atdhe Arifi ka thënë se ky nuk është gjyqi i Vetëvendosjes terroriste, por i Astrit Deharit.

    “Ky nuk është gjyqi i Vetëvendosjes terroriste, por i Astrit Deharit”, u shpreh i akuzuari Arifi.

    Këtë deklarim, i akuzuari Arifi e bëri të martën, në seancën e rigjykimit ndaj tij, ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe aktivistëve Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët po akuzohen për sulmin në Kuvend.

    Pas Arifit, fajësinë e mohuan edhe të akuzuarit e tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Ndjehem plotësisht i pafajshëm“, ka deklaruar i akuzuari Frashër Krasniqi.

    I pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari Egzon Haliti, i cili para gjykatës tha “Plotësisht i pafajshëm.

    Kurse, Adea Batusha deklaroi “Jam e pafajshme”.

    Seanca në këtë rast është duke vazhduar.

    Përsëri deklarohen të pafajshëm ish-deputeti dhe aktivistët e VV-së për sulmin në Kuvend

    Prishtinë –Ish-deputeti Frashër Krasniqi dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi përsëri janë deklaruar të pafajshëm për sulmin në Kuvend, por kësaj here para një trupi tjetër gjykues.

    Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, katër të akuzuarit po dyshohen nga Prokuroria Speciale si përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Këtë rast fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

    Më 27 nëntor të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim.

    Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

    Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

    Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në fund të seancës, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE-së, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

    Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    09 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark