Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook ka dematuar lajmet se “njerëzit e tij” kanë dëmtuar veturën e aktivistit Perparim Haradini.
Ai ka thënë se vetura e cila është publikuar në rrjete sociale e dëmtuar më datë 19 (e enjte) e njëjta është konfiskuar më datë 4 shtator nga Policia e Kosovës.
Theksojmë se pak para se të niste seanca në Kuvendin Komunal të Drenasit disa aktivistë të “Demokratët për Drenasin” kishin kundërshtuar dhënien e 54 pronave publike. Lladrovci njoftoi se “tre persona provuan të bëjnë opozitarizëm brenda Sallës së Kuvendit, por, ata persona i largoi Sigurimi dhe Policia, dhe “opozitarizmin” e zhvilluan jashtë Sallës së Kuvendit të komunës”.
Në mesin e këtyre tre personave ishte edhe aktivisti Përparim Haradini, i cili pas seancës tha se dikush ia ka dëmtuar veturën pas kundërshtimeve për prona,.
Lidhur me këtë, Lladrovci tha se kjo paraqitje e rreme e dëmtimit të veturës kishte për qëllim denigrimin e procesit demokratik që sipas tij, zhvillohet tradicionalisht në Drenas, dhe ishte drejtuar kundër tij si kryetar i Komunës.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Gjatë ditës së enjte, në disa media u shfaq një makinë e dëmtuar në xhamin e përparmë, duke u cilësuar si makinë e dëmtuar qëllimshëm te Komuna e Drenasit sepse i takonte një qytetari “opozitar”.
Me qëllim të pengimit të punës së institucioneve lokale, tre persona provuan të bëjnë opozitarizëm brenda Sallës së Kuvendit, por, ata persona i largoi Sigurimi dhe Policia, dhe “opozitarizmin” e zhvilluan jashtë Sallës së Kuvendit të komunës.
Njëri nga ata tre persona, ishte Artiani Krasniqi i dënuar nga gjyqi për ngacmim me mbi 18 profile të rrejshme, në mesin e tyre edhe profili Floralba Demaku, si dhe Përparim Haradini.
Me të parë në media këtë lajm të “dëmtimit” të makinës, bashkë me kronikën për zhvillimin e seancës kuvendore, i ftova organet e rendit ta verifikojnë këtë lajm që kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të Komunës së Drenasit dhe imazhin tim.
Nga organet e rendit u njoftova se në kohën kur në publik është dalë se gjoja kjo veturë është dëmtuar nga “njerëzit e kryetarit Lladrovci”, vetura e cekur nga 4 shtatori 2024 është e konfiskuar nga Policia. Videoja ku shihet vetura e dëmtuar është deklarim i rremë dhe mashtrim ndaj opinionit publik nga ana e personave të identifikuar nga Policia.
Paraqitje e rreme e dëmtimit të veturës kishte për qëllim denigrimin e procesit demokratik që zhvillohet tradicionalisht në Komunën dhe Kuvendin e Drenasit, dhe ishte drejtuar kundër meje si kryetar i Komunës.
Falënderoj të gjithë qytetarët e komunës për kulturën politike dhe të gjithë ata që nuk ranë pre e këtij lajmi të rremë. Në veçanti falënderoj Policinë e Kosovës dhe organet kompetente që po merren intensivisht me rastin.
Mirëpres demantin e mediave që publikuan foto të “makinës së dëmtuar te Komuna e Drenasit”, ta japin sqarimin se nuk kishte asnjë dëmtim të makinës kundër asnjë opozitari në komunën e Drenasit. Mediat të cilat nuk e publikojnë demantin dhe nuk e tërheqin lajmin shpifës, do ta shqyrtoj mundësinë e padisë për secilin rast.
Ftoj po ashtu, gazetarët të mos bien pre e shpifësve sikur ky lidhur me veturën në Drenas, sepse, lajmet e tilla po sjellin dëm për qytetarët e komunës së Drenasit dhe më gjerë si dhe dëmtojnë proceset demokratike nëpër të cilat po kalojmë.