Ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ nga Qendra e VV-së në Pejë, Besnik Zeqiraj, është ‘rehatuar’ në K..R.U. “Hidrodrini”Sh. A. Ai është përzgjedhur në pozitën e zyrtarit financiar, shkruan Insajderi.
Në bazë të vendimit të cilin e ka parë Gazeta Insajderi, Zeqiraj me 22 qershor është përzgjedhur zyrtar kryesor Financiar në K..R.U. “Hidrodrini”Sh. A. Pejë.
Sipas ligjit kjo Ndërmarrje Publike është nën Ministrin e Zhvillimit Ekonomik. Ministri kjo që udhëhiqet nga bashkëpartiakia e të përzgjedhurit Zeqiraj, Artane Rizvanolli.
Kush është Besnik Zeqiraj?
Besnik Zeqiraj është aktivist i kamotshëm i VV-së. Madje para gjashtë viteve edhe ishte dënuar nga Gjykata me 6 muaj burg.
Në vitin 2021 Besnik Zeqiraj ishte kandidat për Deputet nga radhët e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, ai ishte i nominuar nga Qendra e VV-së në Pejë.
Zeqiraj ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë në vitin 2017 me 6 muaj burg.
Sipas një njoftimi të Lëvizjes Vetëvendosje, Zeqiraj akuzohej se në dhjetorin e vitit 2015 i ka vënë zjarrin një makine të Gjykatës për Kundërvajtje së bashku me një person tjetër.
Për këtë rast Zeqiraj më herët kishte mbajtur 3 muaj burg si dhe 1 muaj arrest shtëpiak.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga ish-kandidati i VV-së, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.