TCH: Është hera e tretë që vini këtu. Si ju duket Shqipëria?
Gabriel Garko: Po, është hera e tretë që vij në Shqipëri. Nuk kam pasur mundësi ta vizitoj, pasi gjithnjë më është dashur të vij këtu për punë. Nëse do të shëtisja dhe do ta vizitoja, nuk do të mund të bëja ato për të cilat më është dashur të vij, ndaj kur të nisim xhirimet e filmit, padyshim do të gjej kohë të vizitoj edhe vendin. Me aq sa kam parë, këtu hahet shumë mirë, një gjë shumë e rrezikshme kjo, pasi shton peshë. Veç kësaj do të shtoja se është një vend mikpritës, ndaj jam i lumtur që po shpenzoj kohë në këtë vend.
TCH: Filmi juaj i ri do të jetë “Lazarat Burning”…
Gabriel Garko: Është një film që tregon historinë e një djali, i cili lëndohet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. I vrasin familjen, ndaj për t’u hakmarrë ai synon të vrasë disa persona, të cilët janë pjesë e një grupi që gjendet në Lazarat, pasi e gjithë historia sillet rreth Lazaratit. Është një histori shumë e bukur dhe personazhi im është gjithashtu shumë i bukur, sepse fillimisht mund të duket negativ. Më pas kuptohet pse vepron në këtë mënyrë dhe veprimet e tij jusitifikohen, duke e bërë atë më human nga ç’duket.
TCH: Roli juaj është ai i një ushtari, i një gjenerali?
Gabriel Garko: Po, sepse djali vendos të hakmerret, ndaj gjithçka ndryshon. Është një histori e çuditshme, shumë tërheqëse. Karakteri i personazhit është paksa i veçantë, disi i pakontrolluar, por në fund kuptohet edhe motivi pse është i tillë, kur zbulohet se i është vrarë e gjithë familja.
TCH: Pra do të jeni një ushtar shqiptar, një shqiptar le të themi?
Gabriel Garko: Sigurisht, e ku është problemi? (Qesh)
TCH: Keni qenë ndonjëherë në Lazarat?
Gabriel Garko: Jo, asnjëherë. Kam dëgjuar të flitet për të kohë më parë, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është diçka që nuk e kam jetuar dhe po mësoj tani ta njoh.
TCH: Si do të futeni nën petkun e personazhit tuaj, të atij djali të vogël që kthehet në ushtar?
Gabriel Garko: Mënyrat e studimit mund të jenë nga më të ndryshmet për ne aktorët. Si do ta studioj personazhin tim, këtë do ta vendos menjëherë pasi të përfundoj një turne teatral në Itali, pasi momentalisht jam i angazhuar në një tjetër projekt. Me të përfunduar atë do t’i dedikohem këtij filmi dhe, së bashku me regjisorin dhe producentët do të vendosim se cila do të jetë rruga më e mirë për të hyrë brenda personazhit. Sigurisht që do të më duhet të rri pak këtu në Shqipëri, e madje të shkoj edhe në Lazarat. Pasi të mbyll këtë projekt, për të cilin ju fola, do të vendos sesi të përballem me këtë personazh.
TCH: Xhirimet do të nisin në prill?
Gabriel Garko: Po.
TCH: Shumë urime deri atëherë!
Gabriel Garko: Faleminderit!