
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është takuar me aktorin e mirënjohur Shkumbin Istrefi, i cili publikisht ka shprehur mbështetjen e tij për ndryshim të domosdoshëm në qeverisjen e kryeqytetit.
“Sinqerisht po të them, unë personalisht kisha pasë qejf me pa një ndryshim tepër të madh në Prishtinë – një ndryshim edhe në udhëheqje, një ndryshim edhe në qasje. Nganjëherë është mirë për neve banorëve me e ndërru qasjen, me e ndërru votën, me e ndërru partinë,” tha Istrefi gjatë bisedës.
Nga ana e tij, Uran Ismaili tha se këtë garë po e bën me një energji dhe frymëzim të brendshëm, që e motivon të punojë edhe më shumë për qytetin e tij. “Kur e ke frymëzim të brendshëm, është më e lehtë me e bë këtë punë,” u shpreh ai.
Në këtë takim u diskutua po ashtu për rolin e artit dhe kulturës në Prishtinë dhe nevojën e madhe për mbështetjen e këtij sektori. Ismaili theksoi se Prishtina ka potencial të madh për t’u shndërruar në një qendër të industrisë kreative. “Qyteti di me u vënë në dispozicion të industrive të filmit, duke tërhequr investime nga jashtë. Ne duhet me i dhënë edhe komponentën e zhvillimit të industrisë, po edhe komponentën e turizmit,” tha Ismaili.
Ndërsa Shkumbin Istrefi vuri theksin te rëndësia e kinematografisë, duke e cilësuar atë si një nga ambasadorët më të fuqishëm të vendit: “Kinematografia ka impakt të madh dhe është ambasador tepër i fuqishëm, jo veç i qytetit, por edhe i vendit.”
Ismaili shtoi se një ndër prioritetet e tij është mbështetja konkrete për artin, kinematografinë dhe kulturën, duke theksuar se një përqindje e buxhetit të komunës do t’i dedikohet posaçërisht këtij sektori.