Balkan Insight sot ka botuar një tekst gazetaresk ku tregohet mbi Vladimir Rajcic, aktorin dhe producentin filmik serb i cili ka lindur në Kosovë në vitin 1974 dhe nga i cili doli skandali i fundit ku Donald Trump deklarohej se kërkonte falje që Serbia u bombardua nga Amerika.
Kandidati për të parin e Amerikës më pas u tha se nuk ka deklaruar asnjëherë kështu, shkruan Kultplus, njofton Insajderi.
Intervistën për Nedelnjik e ka realizuar sipas Balkan Insight pikërisht ky aktor, i cili ka lindur në Pejë. Ai thotë se dikush tjetër po e bën një gjë të tillë në emrin e tij. Në CV-në e tij thuhet se ka përfunduar studime në aktrim, gazetari e muzikë ndërsa në një intervistë para pak muajsh ka thënë se dëshiron të bëhet Ronald Regan i Serbisë.
Disa prej roleve të tij në Amerikë, atje ku ai jeton prej vitesh, janë ‘Desperate Housewives’, ‘NCIS: Naval Criminal Investigative Service’, ‘CSI Miami’, ‘Charmed’, ‘Entourage’ etj.
Ky personazh ka luajtur edhe në filmin “Serbian scars”, ku luan një ushtar serb që udhëton për në Chicago në kërkim të vëllait të humbur. Ai ka deklaruar se vitin tjetër do të kandidojë për tu bërë president i Serbisë, madje ka paralajmëruar se do të bëjë kampanjë të fortë.
Në anën tjetër, Donald Trump dhe zyra e tij kanë dalë me një shpjegim ku thonë se asgjë nuk është e vërtetë dhe se ata nuk kanë thënë se do ta ndryshojnë politikën e tyre karshi Serbisë e as nuk i kërkojnë falje asaj për bombardimet që Amerika ka bërë në vitin 1999, kjo pasi Serbia nuk po e ndalonte gjenocidin në Kosovë.