
Një peticion i nisur nga aktivistë për mbrojtjen e kafshëve përmes së cilit kërkohet nga kryeministri i vendit që të ndalë vrasjen e qenve nga komunat e ndryshme të Kosovës është nënshkruar nga më shumë se 30 mijë veta, por në mesin e tyre është edhe një aktore e njohur në Amerikë.
Bëhet fjalë për Kristen Renton, aktoren e njohur nga seriali i famshëm “Sons Of Anarachy” që jepet në shumë televizione amerikane dhe evropiane.
Renton e cila është e njohur edhe role të tjera kinematografike ka nënshkruar këtë peticion që i bënë thirrje kryeministrit ta ndalë vrasjen e qenve.
Isa Mustafa : Urge Kosovo Government to stop mass killing of stray dogs – Sign the Petition! https://t.co/xE1p9ThZ8q via @Change
— Kristen Renton (@KristenRenton) July 20, 2016
Peticioni i krijuar pas lajmit të botuar në Insajderi, mbi vrasjen e qenve në Komunën e Klinës, kërkon nga kryeministri, Qeveria dhe presidenti, që të ndalin “vrasjen barbare të qenve menjëherë”.
“Nëse Kosova do të zhvillohet në një lulëzim ekonomik dhe të shijoj anëtarësinë e plotë ne BE duhet ti ndal vrasjet e qenve dhe të implementon kontroll të efektshëm dhe human të qenve endacak. Kështu që, ju lusim të nënshkruani këtë peticion sa më herët, në mënyrë që të ndalet vrasja e qenve në Kosovë!”, shkruhet në peticionin online në platformën “change.org”.
Teksti i peticionit i referohet tekstit të Insajderit që ka zbuluar se Komuna e Klinës, përpos që ka vrarë mbi 400 qenë planifikon të vrasë edhe qindra të tjerë.
“Ne u informuam se Kryetari i Komunës te Klinës Sokol Bashota urdhëroi vrasjen e te gjithë qenve në Klinë prej Shoqatës të Gjuetarëve Dukagjini. Shumica e qenve nuk janë agresiv dhe jetojnë relativisht në paqe me banoret e tyre njerëzor”, thuhet në peticion.
“460 qen tashmë janë vrarë në Klinë, 290 do të vriten në ditët në vijim, nëse nuk ka mbështetje ndërkombëtare kundër këtij zakoni”, thuhet tutje.
Komuna e Klinës ka vrarë 460 qenë por planifikon ti vrasë edhe 290 të tjerë
Aty përmendet edhe fakti se vetëm gjatë vitit të kaluar 831 qenë endacak u vranë në Prizren nga veterinerët, si dhe në shumë qytete dhe fshatra tjera kosovare.
“Qentë endacak ishin dhe janë asgjësuar në mënyrë mizore heshturazi”, shkruhet në peticion.
“Problemi real me qentë qëndron te pjellshmëria e lartë që riprodhon mbi 10-15 këlysh në vit. Problemi shumëfishohet, por vrasja e qenve endacak traumatizon qytetarët dhe dërgon mesazhin e gabuar për rininë në Kosovë”, thuhet tutje në këtë peticion.
Sipas nismëtarëve të këtij peticioni, është dëshmuar me shkencë se e vetmja mënyrë për të kontrolluar shtimin e numrit të qenve është ëprmes metoës CNVR (catch, neuter, vaccinate, release apo kapja, kastrimi, vaksinimi dhe lirimi)./Insajderi.com