Akuza e tërhequr e Mustafës ndaj Haradinajt për “mbetjet e kufomave” në Radoniq – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Akuza e tërhequr e Mustafës ndaj Haradinajt për “mbetjet e kufomave” në Radoniq

    Insajderi
    27 November 2016 - 18:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Bosë, banditë të kazinove e haraçit”, i quajti sot kryeministri Mustafa zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Por, këto nuk janë akuzat e para të kreut të ekzekutivit drejtuar zyrtarëve të kësaj partie.

    Debat i ashpër mes liderëve aktual të LDK-së e AAK-së, ishte zhvilluar në tetor të vitit të kaluar, kur përplasjet mes pozitës dhe opozitës ishin të shpeshta, në kohën kur deputetët e opozitës pengonin mbajtjen e çdo seance, në shenjë proteste për marrëveshjen e arritur ndërmjet qeverisë së Kosovës më atë të Malit të Zi për Demarkacionin.

    Përplasja mes kryeministrit dhe zyrtarëve të AAK-së, edhe asokohe kishte shpërthyer pas akuzave paraprake të zyrtarëve të Aleancës.

    Lideri i kësaj partie, kishte thënë se “nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën”.

    Haradinaj kishte deklaruar se “opozita mund të pranojë dialog, vetëm pasi kryeministri Mustafa të heqë dorë nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi”. Aty, Haradinaj, pohoi se nëse pushteti insiston të arrestojë deputetët që hodhën gaz, populli do ta arrestojë Isa Mustafën.

    E kryeministrin e kishte mllefosur deklarata e Haradinajt, i cili thoshte se populli do ta arrestonte kreun e qeverisë, nëse shteti do të arrestonte deputetët e opozitës, të cilët përdornin gazin lotsjellës për të parandaluar mbajtjen normale të seancave të kuvendit.

    Mustafa në atë kohë ia përkujtonte Haradinajt aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë më 4 mars të vitit 2005.

    Në aktakuzë thuhej se ish-komandanti i UÇK-së kishte vrarë shqiptarë e serbë, të cilët më pas i kishte hedhur në liqenin e Radoniqit.

    “Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestojë Isa Mustafën’… ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’”, kishte shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

    fort

    Por vetëm një ditë më pas, kryeministri kishte fshirë postimin ku i përkujtonte Haradinajt pjesë nga aktakuza që ishte ngritur ndaj tij në Hagë.

    Ai pretendonte se atë deklaratë nuk e kishte bërë ai, por se dikush ia kishte sulmuar llogarinë e tij në Facebook dhe kishte bërë postimin e fundit – për Haradinajn – që ai e fshiu.

    “Pak më parë më është dashur ta fshijë një postim në llogarinë time Facebook, të postuar pa kontrollin tim”, ishte shprehur Mustafa.

    forti

    Në akuzat që kryeministri e AAK-ja shkëmbyen mes vete gjatë ditës së sotme, Isa Mustafa i ka quajtur “banditë dhe bosë të kazinove” zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kur u është përgjigjur deklaratave të kësaj partie, se ai “është shndërruar në Shef të Makinerisë së Rrenave”.

    Kryeministri ka thënë se vendi ka filluar të frymojë lirshëm prej banditëve, prandaj sipas tij po ka zvogëlim të papunësisë e rritje ekonomike.

    Partia e Ramush Haradinaj e ka krahasuar sot kryeministrin Isa Mustafa me “Shefin e makinerisë së renave”. Këtë epitet ia ka dhënë Avni Arifi, Këshilltar i Ramush Haradinajt dhe Kryetar i Degës së kësaj partie në Prishtinë.

    Duke komentuar deklarimet e Kryeministrit se në Kosovë ka rritje ekonomike, Arifi ka thënë se Isa Mustafa s’po duket si Kryeministër por po merr role tjera.

    “Kur flet Isa Mustafa për rritje ekonomike dhe zvogëlim të papunsisë krijon bindje se është shef i Makinerisë së Rrenave e jo Kryeministër”, ka thënë Arifi.

    Mirëpo, kryeministri Mustafa përmes një reagimi në Facebook, i ka quajtur kokëboshë e banditë kritikuesit e tij, duke thënë se dikujt edhe po i pengon progresi në Kosovë.

    “Kokëboshëve e banditëve mund tu pengojë progresi i Kosovës. Sa më shumë që kemi progres aq më pak do të ketë hapësirë për mashtrues që vjelin të varfrit. Vendi ka filluar të frymoj lirshëm nga bosët e kazinove dhe reketit, nga sekserët dhe ryshfeti. Prandaj ka zhvillim!”, ka reaguar Mustafa. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark