Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe është duke u hetuar për përdhunimin e një gruaje në Suedi.
Sipas një raportimi nga The Scottish Sun, policia ka sekuestruar një palë të brendshme dhe veshje të tjera nga hoteli ku Mbappe qëndroi dhe ku një grua dyshohet se u sulmua.
Ish-ylli i Paris Saint-Germain ishte në vendin nordik gjatë ndeshjeve ndërkombëtare të tetorit.
Gruaja në fjalë është shtruar në një repart spitalor për viktimat e përdhunimit në Stokholm. Policia ka nisur hetimet në hotelin Bank ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja.
Policët kanë marrë së fundmi një palë të brendshme, pantallona të zeza dhe një bluzë të zezë nga një dhomë hoteli për analiza të mëtejshme, sipas Expressen. Megjithatë, ende nuk dihet se kujt i takojnë këto veshje.
Avokati i Mbappes, Canu Bernard, ka pohuar se klienti i saj është i pafajshëm. Ajo tha për TF1 News: “Ai nuk është kurrë vetëm. Ai kurrë nuk është i ekspozuar ndaj një situate ku do të rrezikonte. Dhe kështu, kjo përjashton plotësisht faktin që mund të ketë pasur veprime të dënueshme nga ana e tij”.
Kylian Mbappe dhe miqtë e tij vizituan restorantin Chez Jolie në Stokholm përpara se të shkonin në klubin e natës V natën e incidentit të supozuar.
Ylli i Real Madridit ka mohuar të gjitha akuzat dhe ende nuk është emëruar si i dyshuar nga autoritetet. /Telegrafi/