
Një deklaratë publike e bërë nga Besfort Racaj, një përkrahës i kandidatit të PDK-së për kryetar të Klinës, është bër shkak që ai të paditet për shpifje nga kryetari aktual i komunës, Zenun Elezaj.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, Racaj ka akuzuar djalin e Elezajt për korrupsion në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.
“Në Klinë, leja e ndërtimit nuk merret pa paguar haraç. Të gjitha projektet më së pari kalojnë te kryetari i komunës Drilon Elezaj, sekseri kryesor i krejt Klinës”, ka deklaruar Racaj.
Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e menjëhershëm të kryetarit Zenun Elezaj, i cili përmes një postimi publik ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje dhe fyerje në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Klinë kundër Besfort Racajt.
“Kundër Besfort Racajt, një mbështetësi politik të kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës, kemi dorëzuar padi për shkak të publikimit të një video-materiali dhe deklaratave të pavërteta, denigruese e ofenduese, të cilat kanë dëmtuar rëndë nderin, reputacionin profesional dhe integritetin moral tim dhe të familjes sime”, shkruan Elezaj.
Kryetari theksoi se gjithmonë ka ruajtur një standard të lartë të garës politike, duke mos përfshirë familjarët e kundërshtarëve, dhe akuzoi kundërshtarët se po përdorin shpifje për të mbuluar mungesën e ideve dhe vizionit.
“Liria e shprehjes është e garantuar me ligj, por nuk përfshin të drejtën për të shpifur apo fyer. Çdo abuzim me këtë liri bart përgjegjësi ligjore, dhe për këtë arsye i jam drejtuar organeve të drejtësisë”, shtoi ai.
Ky është postimi i plotë i Elezajt:
Njoftoj opinionin publik se sot kemi dorëzuar padi për shpifje dhe fyerje në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Klinë, kundër Besfort Racaj, një mbështetësi politik të kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës, për shkak të publikimit të një video-materiali, si dhe deklaratave të pavërteta, denigruese e ofenduese, të cilat kanë dëmtuar rëndë nderin, reputacionin profesional dhe integritetin moral tim dhe të familjes sime.
Unë gjithmonë kam qenë krenar për garën time politike të ndershme, ku nuk janë përfshirë familjarët e kundërshtarëve. Për fat të keq, ky kod moral nuk ekziston më tek disa, të cilët në mungesë të ideve dhe vizionit, përpiqen të godasin me shpifje.
Liria e shprehjes është një e drejtë themelore, e garantuar dhe e mbrojtur me ligj, por ajo nuk përfshin të drejtën për të shpifur apo fyer. Çdo abuzim me këtë liri bart përgjegjësi ligjore, dhe për këtë arsye i jam drejtuar organeve të drejtësisë.
Jam i bindur se gjykata do të veprojë me profesionalizëm dhe pa vonesa.
Asnjë shpifje nuk mund ta ndalë fitoren time në zgjedhjet lokale. Kur shpifjet përgatiten nga “kazanet” e kundërshtarëve politikë, është gjykata ajo që do t’i japë vlerësimin dhe vendimin e merituar.
Faleminderit nga zemra të gjithëve që kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë në vizionin tim, partinë time dhe familjen time.