“Spirit of Drini” iu kishte dhënë fjalë të mëdha dy kompanive investitore zvicerane. Atyre iu kishte premtuar përfitim në vlera milionëshe, duke ua prezantuar një plan të biznesit me shishe qelqi më 2014-ën. Në vend të kësaj, kredia që investitorët zviceranë ua dhanë i sollën këtyre të fundit vetëm dëme. Për këtë, subjektit juridik iu kishte ngritur aktakuzë më 2022-ën për mashtrim. Tek në mars të këtij viti, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar. Mirëpo, lënda ka shkuar në Gjykatën e Apelit meqë subjekti juridik është ankuar për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës.
Gazeta Insajderi lidhur me rastin ka kontaktuar Gjykatën Themelore të Pejës, ku kanë thënë se lidhur me rastin është caktuar gjyqtari Leon Përlaska dhe seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar më 4 mars të këtij viti.
“Ju njoftojmë se lënda penale për të cilën keni kërkuar informata i është caktuar Gjyqtarit Leon Përlaska. Seanca e shqyrtimit fillestar është mbajtur me datë 04 mars 2024, ku të pandehur janë personi juridik “D.B” SH.P.K, dhe personi përgjegjës T.SH”, thuhet në përgjigjen e gjykatës së Pejës.
“Seanca e shqyrtimit gjyqësor ende nuk është caktuar për shkak se lënda është në Gjykatën e Apelit, për vendosjes sipas ankesave ndaj aktvendimit për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Gazeta Insajderi kishte raportuar për një aktakuzë të redaktuar prej 22 faqesh, ku tregoheshin mashtrimet që iu janë bërë dy investitorëve zviceranë nga ‘Spirit of Drini’. Sipas aktakuzës, dy kompanive zvicerane, ‘B+B Beratungs A.G’ dhe ‘Natural Art Discovieries’, më 2014-ën iu prezantohet një plan i biznesit për mundësi investimesh në Kosovë. Në atë plan prezantohen mundësi për përfitime të majme, përmes projektit për shitje të ujit në shishe të qelqit.
“I pandehuri (Thomas Schoffler) duke e ditur se kompania e tij ndodhet në insolvencë, ai në muajin Korrik 2014 & dëmtuarës B+B Beratungs A.G i prezanton planin e biznesit me titull “Investimet/mundësitë e ujit mineral” me të cilin me 28.10.2014 e mashtron duke lidhur kontratë huaje dhe në cilësi të kreditorit i’a merr fillimisht 600.000.00 euro kinse për blerjen e fabrikës së shisheve me kusht që kreditorit t’i sigurojë kolateralin, pastaj me 27.03.2015 lidhin marrëveshje të huasë tjetër e quajtur “Qelqi 1″ në vlerë prej 950.000.00€ për blerje të impiantit me kusht që të dëmtuarës t’ia sigurojë kolateralin, pastaj me datën 21.7.2015 përsëri lidhin marrëveshje huaje të quajtur “Qelqi 2″ në vlerë prej 950.000.00€ ishte vazhdimësi e “Qelqi 1” me kusht që të dëmtuarës t’ia sigurojë kolateralin si dhe me 15.12.2015 lidh marrëveshje kredie me kompaninë ‘Natural Art Discoveries’ në vlerë prej 600.000.00€ e quajtur “marrëveshja NAD” kinse për blerjen e një fabrike për shishe me kusht që edhe kësaj t’ia bëjë sigurimin e kolateralit, e që nga këto data e tutje i pandehuri nuk i përmbahet detyrimeve ndaj të dëmtuarve duke mos regjistruar ne emër te kolateralit asnjë makineri dhe duke mos raportuar për ndarjen e fitimit me cka u shkakton dëm ekonomik deri më tani në vlerë prej 3.409.238.00€”, thuhet në detaje të aktakuzës.
Në planin e biznesit që ua ka prezantuar investitorëve zviceranë, ‘Spirit of Drini’ përmend mundësinë e lidhjes së kontratave për furnizim me shishe qelqi në vlerë totale prej 30 milionë eurosh. Sipas planit të biznesit të korrikut të 2014-ës, këto shishe qelqi supozohet të eksportohen në Shqipëri, Kuvajt, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemen, Oman dhe Izrael.
Detaje nga plani i biznesit që ‘Spirit of Drini’ ua ka prezantuar investitorëve zviceranë:
Sipas fjalës së palës së dëmtuar të dhënë në gjykatë, pjesë e marrëveshjes së kontratave hua ishte edhe raportimi mujor i shitjeve. Megjithatë, përfaqësuesi i ‘Spirit of Drini’ ka thënë pranë gjykatores se kishte arritur marrëveshje me investitorët gjermanë që të evitohet procedura e raportimit mujor dhe të paguhen borxhet në shuma më të mëdha. Por, njëra palë dëmtuese e mohon një gjë të tillë, duke thënë se ka dërguar email për t’u ankuar për mos-raportim të shitjeve mujore. Këtë gjë e evidenton edhe Prokuroria.
Prokuroria e Shtetit, çdoherë sipas aktakuzës, e ka hetuar vlerën e eksportuar të shisheve me ujë nga ‘Spirit of Drini’ nga 2015-a deri më 2019-ën përmes të dhënave zyrtare të Doganës. Nga ajo, ka rezultuar se përbrenda kësaj periudhe, shuma e të gjitha eksporteve është dukshëm më e ulët sesa ajo që proklamohet në plan të biznesit.
Gjetjet e Prokurorisë për eksport:
“- Në vitin vitin 2015 kishte vetëm një eksport me datën 01.7.2015 ku përmes pikës kufitare ka eksportuar tek subjekti SWISSDrini SA në Panama në vlerë prej 8.172.48 euro,
– Me vitin 2016 ka 7 eksporte, një në Serbi dhe gjashtë tjera në Kinë ku ka eksportuar makineri të ndryshme dhe sasi të ujit, të gjitha këto në vlerë prej 125.921.68 euro dukshëm me te vogël se sa vlera e pretenduar në biznes plan,
– Në vitin 2017 ka 36 eksporte, në vlerë prej 271.878.81 euro, dukshëm me te vogël se sa vlera e pretenduar në biznes plan
– Në vitin 2018 ka 15 eksporte, në vlerë prej 83.643,82 euro, dukshëm me te vogël se sa vlera e pretenduar ne biznes plan
– Në vitin 2019 ka 9 eksporte në vlerë prej 16,541.85 euro, dukshëm me te vogël se sa vlera e pretenduar ne biznes plan e që realisht shuma e te gjitha eksporteve sipas Doganës arrin vlerën prej 506.158.64 euro, apo realisht as shuma e këstit te kontratës së parë të huazimit”.
Kur kishte marrë huanë e parë nga njëri prej investitorëve zviceranë, Schoffler i ‘Spirit of Drini’ kishte vetëm 19 mijë euro në llogari. Për këtë, ai përgjatë fjalës së tij u pyet edhe nga prokurori, për çka dha një arsyetim që s’ia mbushi syrin gjykatës.
“Në pyetjen e Prokurorisë se cila ka qene gjendja financiare e kompanisë se tij (Thomas Schoffler) me rastin e lidhjes se kontratave te huas i pandehuri ka deklaruar se giendja ka qenë e mirë, kurse kur është ballafaquar me pyetjen se çfarë mund te na thuani se në kohën e lidhjes se kontratës së parë me vlerë prej 600.000 euro kompania juaj kishte vetëm 19.000 euro në llogari, i pandehuri ka deklaruar se fillimisht me kompaninë Apro ka ndërtuar fabrikën pastaj për shkaqe natyrore ajo është dëmtuar dhe bashkë-aksionarët nuk kanë pranuar të investojnë pastaj në ato rrethana partnerët nuk kanë pranuar investitorë të jashtëm dhe se janë nda mes vete pastaj ky ka vazhduar për objektin të kërkojë investime kështu që e ka themeluar kompaninë “Drini i Bardhë” sh.p.k dhe me qëllim të funksionalizimit ka lidhur kontrata të huas”, vijon aktakuza e redaktuar, që ka siguruar Insajderi.
Analizat e ujit mineral, skandali me ujë të çezmes
Si pikë të rëndësishme të marrëveshjes për huadhënie, kompanitë zvicerane e konsideruan edhe analizat e rregullta të cilësisë së ujit.
Pala e dëmtuar para trupit gjykues ka deklaruar se kontraktualisht janë marrë vesh që firma kosovare “SGS” dhe Instituti gjerman “ROMEIS” të kryejnë analiza të rregullta. Megjithatë, thonë se ‘Spirit of Drini’ s’e ka bërë.
“…Edhe që ai ka thënë që do të kryhen analizat e rregullta nga firma “SGS” edhe instituti “ROMEIS” gjë gë nuk është e vërtetë, ngase nga raporti i firmës “SGS” rezulton që ata nuk kryejnë analiza të rregullta tek ndërmarrja e lartcekur”, thuhet në fjalën e palës së dëmtuar, sipas aktakuzës së redaktuar.
“Pastaj një investitor tjetër zviceran ka kryer vetë analizat e ujit në firmën “LABOR VERITAS” të cilët na i kanë pru rezultatet dhe që tregojnë që sasinë e kloraformit e cila është gjetur prej 0,11 është sasi që nuk duhet ta përmbajë kualiteti i ujit dhe kjo do të ishte pengesë për eksportin e tij, dhe për shkak se uji nuk është i pastër tek një ujë burimor, për këtë arsye është ndalur edhe eksporti i tij, për këtë është konstatuar që nuk ka të bëjë me ujë mineral, por bëhet fialë për ujë normal, pa veti të veçanta të cilat paraqiten“.
Insajderi ka siguruar rezultatet nga analiza e ujit që iu është bërë, të cilat dëshmojnë të njëjtën gjë. Dokumenti është në gjuhën origjinale (gjermane). Mediumi ua sjellë disa pjesë të rëndësishme të interpretimit të tyre nga vetë ‘LABOR VERITAS’:
Të gjitha vlerat e matura nga Labor Veritas AG janë nën kufijtë ligjorë…
Ka mospërputhje kur krahasohen numrat. Në ato me përqendrime të ulëta, nëse burimi është i disponueshëm, nuk mund të bëhet një vlerësim më i detajuar.
Mospërputhja më e madhe ndodhi për karbonatin e hidrogjenit. Një diferencë prej 75 mg/l në krahasim me etiketën është e habitshme dhe për këtë arsye nuk ka kuptim, pasi në rastin e vlerës së shënuar në etiketë prej 238 mg/l, do të duhej të kishte dukshëm më shumë katione.
Për këtë vlerë do të ishte i nevojshëm një verifikim nga prodhuesi. Vlera TDS e deklaruar në etiketë ka shumë të ngjarë të jetë e pasaktë.
Kloroform (përqendrimi: 0,11 pg/1): Sasia e gjetur është e habitshme dhe nuk gjendet në ujin mineral. Vlera e kloroformit nuk është e besueshme për një burim në 2240 misM. Shkaqet e mundshme për këtë ndotje janë shumë të ndryshme. Kontakti ose përzierja me ujin e çezmës është një prej tyre.
Një shqetësim tjetër që ka shprehur njëri nga investitorët zviceranë është edhe mos-prezantimi i makinerive të blera me investimin e tyre.
“Dua të shtoj se unë para se të paraqesim kallëzimin penal, kam qenë 3 herë tek kompania “Drini i Bardhë” në fshatin Novosellë dhe aty kam parë disa makineri, por asnjëherë nuk më është treguar se cila nga ato makineri është blerë nga investimi i jonë dhe ato në shumicën e kohës kanë qenë jashtë funksionit”, ka deklaruar pala e dëmtuar. /Insajderi.org/