Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit K.O., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, shkruan Insajderi.
Sipas aktakuzës, i pandehuri K.O., me datë 22.05.2024 rreth orës 20:35, në vendkalimin kufitar të pikës kufitare në Vërmicë, duke hyrë në Kosovë nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim ka poseduar narkotikë të llojit “marihuanë” me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të tij nga ana e policisë, në veturën “Honda Jazz”, të cilën veturë ishte duke e vozitur i pandehuri, e pikërisht në brendësi të motorit të veturës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një (1) qese najloni të tejdukshme me substancë narkotike të llojit “marihuanë” në peshë 86.89 gram, ndërsa në trup të tij, i është gjetur një qese najloni e mbushur me substancë narkotike të llojit “marihuanë” në peshë 0.90 gram, e për transportin e se cilës substancë narkotike nuk ka pasur autorizim përkatës.
Tutje bëhet me dije se, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.