
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Trafikut Urban në Prishtinë, Ruhan Beha është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim detyre, në seancën e mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Beha po akuzohet se kishte kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv Lulzim Rexhepaj që të hapë konkurs për zyrtar të IT-së, në mënyrë që bashkëshortja e tij Lendita Beha të punësohet, por pasi i njëjti e kishte anuluar këtë konkurs, Beha kishte filluar iniciativën për shkarkimin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast është mbajtur të premten, në të cilën i akuzuari Beha është deklaruar i pafajshëm.
Sipas saj, i akuzuari është udhëzuar që në afat prej 30 ditësh të paraqes kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, Beha në shkurt të vitit 2020, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin e për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, Ruhan Beha në cilësinë e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të NPT “Trafiku Urban”, në Prishtinë, në vazhdimësi nga shtatorit e deri në dhjetor 2019, kishte kërkuar nga vartësi i tij Lulzim Rexhepaj, i cili kishte pozitën e kryeshefit ekzekutiv, që t’ia punësojë bashkëshorten e tij Lendita Beha, e cila ka qenë e angazhuar si praktikante në entin për punësim.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Beha fillimisht kishte kërkuar që të hapet konkursi për pozitën e zyrtarit të IT-së e pas shpalljes së konkursit, kishte insistuar dhe drejtuar kanosje që bashkëshortja e tij të punësohet në këtë konkurs.
Siç thuhet në aktakuzë, kur i dëmtuari Lulzim Rexhepaj më 23 dhjetor 2019, kishte marrë vendim për anulimin e konkursit, i pandehuri Beha kishte filluar iniciativën për shkarkimin e tij, duke e bërë draftin e vendimit për shkarkimin e tij dhe duke e kërcënuar se do të rrahë të dëmtuarin.
Për këto veprime, Beha po ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi