Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa pritet të fillojë në janar të vitit 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzën për rastin “PAYKOS”, e që dëmi i pretenduar ndaj Telekomit pretendohet të jetë afër 7 milionë euro.
Mustafa ngarkohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një lajm i tillë u bë i ditur për “Betimi për Drejtësi”, nga gjykatësi i ngarkuar për gjykim të kësaj lënde, Sabit Sadikaj.
Sipas gjykatësit Sadikaj, lënda do të trajtohet në bazë të radhës se kur është dorëzuar aktakuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Mustafa akuzohet për nënshkrimin e një kontrate milionëshe me kompaninë “Paykos”. Sipas Prokurorisë, dëmi që i ka shkaktuar Telekomit të Kosovës është i madh. Bëhet fjalë për mbi 6.7 milionë euro të cilat janë derdhur në kompaninë “Paykos”.
Gazeta Insajderi ka raportuar më herët se pronar i kësaj kompanie është biznesmeni Armend Zeqiraj.
Prokuroria po e heton Agron Mustafën për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”. Në komunikatën publike kanë bërë të ditur se Mustafa që nga marsi i vitit 2015 e në vazhdimësi ka vepruar në dëm të PTK-së duke bërë lidhje të marrëveshjeve e aneks kontratave të dëmshme duke vepruar në disfavor të ndërmarrjes që ai përfaqësonte – Telekomit.
E gjithë kjo filloi tetë vite më parë. Telekomi lidhi një kontratë milionëshe me “Paykos” për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala” e deri tek organizimi i lojërave shpërblyese në Telekomin e Kosovës.
Kontrata milionëshe e nënshkruar nga ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa dhe kompanisë “Paykos” e pronarit Armend Zeqiraj ra në duart e Policisë dhe Prokurorisë që nga muaji qershor i vitit 2020 kur Telekomi i Kosovës kishte dorëzuar për herë të parë një kallëzim penal.
Kjo kontratë pretendohet se i ka sjellë dëme të mëdha Telekomit të Kosovës.
Sipas të dhënave, vetëm katër muaj pasi që ishte regjistruar si biznes, kjo kompani kishte nënshkruar kontratë me Telekomin në vlerë milionëshe. Përmes kësaj marrëveshjeje të arritur në mars të 2015 ajo kishte për obligim shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve Pre Paid. Ajo ishte nënshkruar nga ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa
Sipas kontratës, “PayKos”-i, obligohej që të zgjeronte rrjetin e pikave të shitjes së mbushjeve nëpër Kosovë. Në bazë të dokumenteve, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos” për katër vjet, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “PayKos”-it.
Nga viti i nënshkrimit, “PayKos” ka fituar rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për arritje të trageteve, si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerjen e mbushjeve me çmime zbritjeje nga operatori. Kohëzgjatja ishte ndryshuar disa herë. Në tetor 2016, palët u pajtuan që marrëveshja të zgjasë deri në 2020 me mundësi vazhdimi edhe për 4 vjet të tjerë. Ndërsa në dhjetor të 2017-s u shtua një afat i ri 5- vjeçar, që fillonte më 1 janar 2018.
Që nga viti 2020 kjo kontratë është duke u hetuar nga organet e hetuesisë.