×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Akuzohet se kërkoi 300 mijë euro mito, për më shumë se dy vite asnjë seancë për nipin polic të ish-Kryeprokurorit

    Insajderi
    29 April 2022 - 15:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Arrestimi i hetuesi Behar Millaku, njëherit edhe nipi i ish-Kryeprokurorit Reshat Millaku para pesë vitesh kishte bërë bujë të madhe. Ai akuzohet se i kishte kërkuar hiç më pak sesa 300 mijë euro ryshfet një biznesmen multimilonësh për mbylljen e hetimeve për kazino. Kanë kaluar më shumë se dy vite nga seanca fillestare dhe ende nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër. Insajderi sjell detajet për këtë rast që po shkon drejt vjetërsimit

    Insajderi

    Më 10 mars të vitit 2020 u raportua se për herë të katërt radhazi, ka dështuar të mbahet seanca për rastin e famshëm të policit Behar Millaku në Gjykatë. Millaku akuzohet se në cilësinë e ish-udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ndërsa për ushtrim ndikimi akuzohet ish-zyrtari policor Shefqet Zogaj, si dhe Ilir Sadrijaj.

    Derisa në procedurë penale rastet edhe vjetërsohen, dhe jo rrallë herë për shkak të vjetërsimit të akuzarit për korrupsion edhe janë liruar, si duket edhe Gjykimi në rastine Millakut po shkon në drejtim të vjetërsimit.

    Për më shumë se dy vite në këtë rast nuk janë mbajtur asnjë seanca. Madje, as seancë e radhës nuk dihet se kur do të mbahet.

    Gazeta Insajderi ka pyetur Gjykatën Themelor në Prishtinë përse ende nuk kanë caktuar seancë për rastin e Millakut.

    Në përgjigjen e tyre thuhet se gjykata ka ndërmarr veprime paraprake por lënda ka kalur tek një gjyqtar tjetër.

    “Duke ju referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Gjykata ka ndërmarr veprime paraprake mirëpo ndërkohë lënda ka kaluar te një gjyqtar tjetër. Gjyqtari i çështjes është ngarkuar me këtë lëndë muajin e fundit dhe i njëjti gjendet në fazën e shqyrtimit të lëndës”, thuhet në përgjigjet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhënë Insajderit.

    Në kohën kur Behar Millaku ishte arrestuar për ryshfet mbante pozitën e udhëheqësit të hetimve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës.

    Por, Millaku po vazhdon të mbajë ende pozitë e tij në institucionet e shtetit. Kështu së paku dihet nga një postim publik i bërë në tetor të vitit 2021, ku ai përmendet si rreshter në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.

    Gazeta ka pyetur Policinë e Kosovës se cila është pozita aktuale që mbanë Behar Millaku për të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e tekstit.

    Dosja e Prokurorisë – Si i kërkoi Millaku 300 mijë euro ryshfet biznesmenit?

    Hetimi kundër policit nipit të kryeprokurorit Reshat Millaku, Behar Millakut dhe grupit të tij kanë zbuluar se si i kishte kërkuar 300 mijë euro nga pronari i kompanisë së lojërave të fatit, “EGTK II” për t’ia mbyllur hetimet.

    Dosja e Prokurorisë pretendon se mijëra euro ishin kërkuar për të mbyllur dhe lehtësuar hetimin e Policisë që po bëhej ndaj kompanisë “EGTK II Shpk” të lojërave të fatit “Kajot”, kompani e cila ishte bastisur gjatë një aksioni të Policisë.

    Sipas aktakuzës, Millaku, në cilësinë e udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, i cili ishte duke hetuar rastin e kësaj kompanie, të krijojë lehtësira gjatë hetimit, për t’ia hapur lokalet e lojërave të fatit, të cilat ishin mbyllur nga policia dhe për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.

    Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zogaj, kishte siguruar informata për rrjedhjen e hetimeve ndaj Skender Fetaj, dhe të njëjtat ia kishte dërguar të akuzuarit Sadrijaj, në mënyrë që ta bindin të dëmtuarin Fetaj, për t’i dhënë paratë.

    Fillimisht, Sadrijaj ka kërkuar nga ish-punëtori i kësaj kompanie Avni Qerimi, që të kërkojë nga i dëmtuari Fetaj shumën prej 4.000 euro, i cili këto para i kishte thënë menaxherit të kësaj kompanie Denis Cocaj, që t’ia dërgonte të akuzuarit Sadrijaj.

    Tutje, sipas aktakuzës, më 10 janar 2017, këto para Qerimi, ia kishte dhënë të pandehurit Sadrijaj, i cili pas disa ditësh ishte takuar me Fetajn dhe i kishte thënë se fillimisht duhet t’i jepte 30.000 euro për udhëheqësin e hetimit Behar Millaku, pastaj edhe shumën prej 300.000 euro, dhe e kishte sugjeruar që ta ndërrojë avokatin në mënyrë që këto para t’i dorëzohen policit Millaku, për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.

    Mirëpo, siç thuhet, i dëmtuari Fetaj, më 26 janar 2017, ishte koordinuar me policinë, dhe i kishte fotografuar shumën prej 30.000 euro, dhe kur Denis Cocaj, Bajram Kurmehaj ishin takuar me Sadrijaj, në lokalin “Liridoni” në rrugën Pejë –Deçan, Kurmehaj shumë prej 30.000 euro ia kishte dhënë në zarf Sadrijajt.

    Kështu, sipas aktakuzës, pasi Sadrijaj së bashku me Zogajn i kishin marrë paratë, kishin hyrë në lokale dhe bastore të ndryshme dhe gjatë natës kishin bërë ndërrimin e parave, pastaj ishin takuar me Millakun dhe ia kishin dhënë shumën prej 2.000 euro, ndërsa Millaku me veturë të cilën e drejtonte Shaban Ramaj ishin ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe me rastin e kontrollimit, i kishin sekuestruar shumën prej 2.000 euro, ndërsa Sadrijaj nga ana e policisë në Pejë i janë gjetur 2.200 euro.

    Prokuroria të akuzuarin Behar Millaku e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj me veprën penale “ushtrim i ndikimit”./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark