×
  • Lajme
  • Insajderi

    Akuzohet se kërkoi 300 mijë euro ryshfet nga biznesmeni multimilionësh, rreshteri Behar Millaku vazhdon punën në polici

    Insajderi
    30 April 2022 - 12:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Polici Behar Millaku, njëherit nipi i ish-Kryeprokurorit Reshat Millaku i akuzuar për marrje ryshfeti po vazhdon punën në institucione e sigurisë kosovare. Kështu kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi nga Policia e Kosovës.

    Gazeta Insajderi ka raportuar dje se Millaku është i përfshirë në një rast korrupsioni, ku kishte kërkuar hiç më pak sesa 300 mijë euro ryshfet një biznesmen multimilionësh për mbylljen e hetimeve për kazino.

    Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Insajderin se Millaku vazhdon punën si mbikëqyrës i një nga sektorët në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.

    Madje, nga policia i referohen si rreshter Millakut.

    “Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë se rreshter Behar Millaku aktualisht punon mbikëqyrës i një nga sektorët në SP Jugu Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovë dhënë Insajderit.

    Në vitin 2018 kur Behar Millaku ishte arrestuar për ryshfet mbante pozitën e udhëheqësit të hetimve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës.

    Arrestimi i hetuesi Behar Millaku, njëherit edhe nipi i ish-Kryeprokurorit Reshat Millaku para pesë vitesh kishte bërë bujë të madhe. Ai akuzohet se i kishte kërkuar hiç më pak sesa 300 mijë euro ryshfet një biznesmen multimilonësh për mbylljen e hetimeve për kazino.

    Kanë kaluar më shumë se dy vite nga seanca fillestare dhe ende nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër.

    Më 10 mars të vitit 2020 u raportua se për herë të katërt radhazi, ka dështuar të mbahet seanca për rastin e famshëm të policit Behar Millaku në Gjykatë. Millaku akuzohet se në cilësinë e ish-udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ndërsa për ushtrim ndikimi akuzohet ish-zyrtari policor Shefqet Zogaj, si dhe Ilir Sadrijaj.

    Derisa në procedurë penale rastet edhe vjetërsohen, dhe jo rrallë herë për shkak të vjetërsimit të akuzarit për korrupsion edhe janë liruar, si duket edhe Gjykimi në rastine Millakut po shkon në drejtim të vjetërsimit.

    Dosja e Prokurorisë – Si i kërkoi Millaku 300 mijë euro ryshfet biznesmenit?

    Hetimi kundër policit nipit të kryeprokurorit Reshat Millaku, Behar Millakut dhe grupit të tij kanë zbuluar se si i kishte kërkuar 300 mijë euro nga pronari i kompanisë së lojërave të fatit, “EGTK II” për t’ia mbyllur hetimet.

    Dosja e Prokurorisë pretendon se mijëra euro ishin kërkuar për të mbyllur dhe lehtësuar hetimin e Policisë që po bëhej ndaj kompanisë “EGTK II Shpk” të lojërave të fatit “Kajot”, kompani e cila ishte bastisur gjatë një aksioni të Policisë.

    Sipas aktakuzës, Millaku, në cilësinë e udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, i cili ishte duke hetuar rastin e kësaj kompanie, të krijojë lehtësira gjatë hetimit, për t’ia hapur lokalet e lojërave të fatit, të cilat ishin mbyllur nga policia dhe për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.

    Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zogaj, kishte siguruar informata për rrjedhjen e hetimeve ndaj Skender Fetaj, dhe të njëjtat ia kishte dërguar të akuzuarit Sadrijaj, në mënyrë që ta bindin të dëmtuarin Fetaj, për t’i dhënë paratë.

    Fillimisht, Sadrijaj ka kërkuar nga ish-punëtori i kësaj kompanie Avni Qerimi, që të kërkojë nga i dëmtuari Fetaj shumën prej 4.000 euro, i cili këto para i kishte thënë menaxherit të kësaj kompanie Denis Cocaj, që t’ia dërgonte të akuzuarit Sadrijaj.

    Tutje, sipas aktakuzës, më 10 janar 2017, këto para Qerimi, ia kishte dhënë të pandehurit Sadrijaj, i cili pas disa ditësh ishte takuar me Fetajn dhe i kishte thënë se fillimisht duhet t’i jepte 30.000 euro për udhëheqësin e hetimit Behar Millaku, pastaj edhe shumën prej 300.000 euro, dhe e kishte sugjeruar që ta ndërrojë avokatin në mënyrë që këto para t’i dorëzohen policit Millaku, për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.

    Mirëpo, siç thuhet, i dëmtuari Fetaj, më 26 janar 2017, ishte koordinuar me policinë, dhe i kishte fotografuar shumën prej 30.000 euro, dhe kur Denis Cocaj, Bajram Kurmehaj ishin takuar me Sadrijaj, në lokalin “Liridoni” në rrugën Pejë –Deçan, Kurmehaj shumë prej 30.000 euro ia kishte dhënë në zarf Sadrijajt.

    Kështu, sipas aktakuzës, pasi Sadrijaj së bashku me Zogajn i kishin marrë paratë, kishin hyrë në lokale dhe bastore të ndryshme dhe gjatë natës kishin bërë ndërrimin e parave, pastaj ishin takuar me Millakun dhe ia kishin dhënë shumën prej 2.000 euro, ndërsa Millaku me veturë të cilën e drejtonte Shaban Ramaj ishin ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe me rastin e kontrollimit, i kishin sekuestruar shumën prej 2.000 euro, ndërsa Sadrijaj nga ana e policisë në Pejë i janë gjetur 2.200 euro.

    Prokuroria të akuzuarin Behar Millaku e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj me veprën penale “ushtrim i ndikimit”./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark