Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi nga Brukseli, se Shqipëria nuk është dorëzuar kurrë, pavarësisht pengesave për rrugën e saj evropiane.
Në ditën e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që shënon hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian Rama tha se ky është fundi i fillimit.
“Shumë faleminderit mbarë popullit shqiptar, i cili kurrë s’u dorëzua dhe kurrë nuk reshti së ëndërruari ndjekjen e rrugëtimit evropian dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë pas 3 vitesh kaq shumë të ndërlikuar, ku refuzimet e Këshillit të Evropës nga njëra anë dhe tërmeti, pandemia, lufta, nga ana tjetër krijuan një situatë të vështirë, por që na forcuan më shumë se ç’ishim. Ky është fundi i fillimit, situata është kjo që është, ne thjesht na duhet të ngremë dhe të ndërtojmë një Shqipëri evropiane dhe të fortë dhe një Ballkan të Hapur Perëndimor”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Në një deklaratë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrin e Republikës së Çekisë, Petr Fiala, Rama shprehu mirënjohje për të gjithë mbështetësit e Shqipërisë në rrugën evropiane.
“Dua të falënderoj së pari dhe kryesisht presidenten e Komisionit znj. Urusla, e cila e di dhe dinte sesi të bëhej një prani gjermano-ballkanike në këtë ndërtesë dhe të luftonte të dy ne, për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor, të luftonte për të tërë shtetet anëtare dhe për ne, vendet aspiruese. Ndërkohë dua të falenderoj një tjetër zonjë gjermane që s’është më tashmë aktive, por pa të nuk do të ishim këtu sot, e cila është znj. Angela Merkel. Ajo ka ditëlindjen dhe do të doja t’i uroja gjithë të mirat”.
“Pa përpjekjet e tepërta të Presidencës franceze, dhe Presidentit francez Emanuelit dhe ekipit të tij që kanë punuar pa reshtur dhe pa u lodhur, veçanërisht gjatë Samitit të NATO-s, natë e ditë, e kanë dëshmuar këtë gjë, që të mbërrinin në propozimin përfundimtar francez, i cili shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde”, u shpreh Rama.
Cili është historiku Shqipëri-BE?
Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike: Që prej vitit 1991, menjëherë pas rënies së sistemit komunist dhe me vendosjen e regjimit demokratik, Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian, si shprehje e vullnetit të saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, vlerat e të cilës ajo i aspiron fuqishëm edhe sot.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA): Sa i përket procesit politik dhe ligjor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, momenti i parë që i çeli rrugën asaj drejt aderimit në këtë organizëm është viti 2004, kur Shqipëria nënshkroi MSA me BE-në. Kjo marrëveshje përbën kuadrin politik dhe ligjor bazë të procesit të anëtarësimit të vendit në BE dhe kuadri i përbashkët i marrëdhënieve të BE me Ballkanin Perëndimor.
Samiti i Selanikut: MSA-ja ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë u parapri nga një vendimmarrje e rëndësishme e vendeve anëtare për rajonin, që u arrit në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku u përcaktua perspektiva e anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe i hapi rrugë shfrytëzimit të instrumenteve të përdorur në vendet e tjera anëtare.
Kërkesa zyrtare për anëtarësim: Në prill të 2009, më pak se një muaj nga hyrja në fuqi e MSA shteti shqiptar dorëzoi kërkesën zyrtare për anëtarësimin në BE.
Liberalizimi i vizave: Në qershor të vitit 2010, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miraton heqjen e vizave me Shqipërinë.
Statusi i vendit kandidat: Një nga komentet kyçe të avancimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE është Qershori i vitit 2014 ku Këshilli i Ministrave te BE miratojnë unanimisht dhënin e statusit kandidat për Shqipërinë.
Hapja e negociatave: Në 20 Mars 2020, Këshilli Evropian i BE miratoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë
Kriteret e anëtarësimit në BE
Shtetet që aspirojnë të bëhen pjesë e Unionit, përfshirë Shqipërinë duhet të plotësojë një sërë kriteresh për anëtarësim apo ndryshe “Kriteret e Kopenhagës”. Në thelb, këto kritere përfshijnë tre drejtime apo shtylla kryesore:
Procesi i monitorimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit realizohet në mënyrë të vazhdueshme nga Komisioni Evropian i cili i publikon rezultatet e monitorimit të progresit në raportet e tij vjetore. Çdo vit aty pasqyrohen arritjet, ngecjet, dhe rastet e hapave pas në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të anëtarësimit.
Ballkani Perëndimor në BE
Perspektiva e Ballkanit në BE u formalizua në vitin 2003 në Samiti i Selanikut, dhe pavarësisht skepticizmit lidhur me zgjerimin të disa prej vendeve anëtare, veçanërisht, Francës, Holandës apo Danimarkës, ka vazhduar të jetë e tillë deri më sot, duke u artikuluar fuqishëm nga institucionet e BE, posaçërisht Komisionit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalën e saj në fjalimin drejtuar Unionit të BE në Shtator 2020, theksoi se “Evropa do të jetë gjithmonë gati për të ndërtuar partneritet të fortë me fqinjët e saj më të afërt. Kjo fillon me Ballkanin Perëndimor. Vendimi gjashtë muaj më parë për të hapur negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte me të vërtetë historik! Realisht, e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE. Ne ndajmë së bashku të njëjtën histori dhe të njëjtin fat”.
Zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor
Më 5 shkurt të vitit 2020 Komisioni Evropian paraqiti një propozim për “Forcimin e procesit të aderimit – një perspektivë e besueshme në BE për Ballkanin Perëndimor”, e cila u mbështet nga Këshilli Evropian në muajin mars të po këtij viti. Në thelb, kjo qasje, synon të rivalizojë procesin e aderimit duke e bërë atë më të parashikueshëm, më të besueshëm, më dinamik dhe me drejtim të fortë politik, bazuar në kritere objektive dhe rigoroze si dhe kushtëzimin negativ e mundësinë e kthimit pas. Kjo qasje konsiston kryesisht në:
Një proces të besueshëm të aderimit, që nënkupton besim të ndërsjellët dhe angazhime të qarta si nga BE-ja ashtu dhe vendet e Ballkani Perëndimor dhe forcimin e kredibilitetit të procesit përmes një fokusi edhe më madh tek reformat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonomia e vendeve kandidate.
Një drejtim politik më të fortë, pasi natyra politike e procesit të aderimit kërkon një drejtim dhe angazhim më të fortë politik në nivelet më të larta. Kjo lips rritjen e mundësive për dialog të nivelit të lartë politik përmes samiteve të rregullta BE-Ballkan Perëndimor dhe kontakteve të intensifikuara ministrore. Për më tepër, Shtetet Anëtare duhet të përfshihen më sistematikisht në monitorimin dhe rishikimin e procesit.
Një proces më dinamik, për të injektuar dinamizëm të mëtejshëm në procesin e negociatave, kapitujt e negociatave do të grupohen në gjashtë grupe tematike që janë: i. aspektet themelore; ii. tregu i brendshëm; iii. konkurrenca dhe rritja përfshirëse; iv. axhenda e gjelbër dhe konektiviteti i qëndrueshëm; v. burimet, bujqësia dhe kohezioni; vi. marrëdhëniet e jashtme.
Gjithashtu, negociatat do të jenë të hapura në tërësi për secilin grup – pasi të kenë përmbushur standardet e hapjes – dhe jo mbi baza individuale të kapitullit. Negociatat mbi aspektet themelore do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit, dhe procesi lidhur me to do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Një proces më i parashikueshëm, Komisioni do të sigurojë një qartësi më të madhe në lidhje me atë çka BE –ja pret nga vendet e zgjerimit në fazat e ndryshme të procesit, duke bërë më të qartë se çfarë pasojash pozitive mund të sjellë progresi në reforma dhe çfarë pasojash negative mungesa e tij.. Negociatat mund të pezullohen në fusha të caktuara, ose në raste më të rënda, të pezullohen totalisht, dhe kapitujt tashmë të mbyllur mund të ri-hapen.
Si ka performuar Shqipëria në përmbushjen e këtyre kritereve deri më sot?
Që prej fillimit të procesit të anëtarësimit Shqipëria ka bërë hapa përpara për përmbushjen e secilit prej tyre, por nga ana tjetër një sërë fushash kyçe mbeten ende për tu përmbushur, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kriteret politike. Ka mangësi edhe në kriteret ekonomike dhe pak më pak në ato ligjore.
Kështu, fushat kryesore ku Shqipëria çalon kanë të bëjnë kryesisht me demokracinë, dhe shteti i së drejtës, sistemi zgjedhor, reforma në drejtësi dhe administratën publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat e njeriut si liria e shprehjes, mosdiskriminimi, etj.
Kriteret kyçe deri në hapjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare
Fushat dhe kriteret ku Shqipëria ende ka mangësi janë të përmbledhura jo vetëm në Raportin e Vlerësimit të Komisionit, por edhe në vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të marsit të këtij viti.
Vendimi në fjalë i Këshillit u parapri nga vendimi i Bundestagut gjerman, shtatorin e kaluar, që miratoi një rezolutë që lejon qeverinë të mbështesë bisedimet e pranimit me Shqipërinë, duke renditur njëkohësisht kushtet e kërkuara për konferencën e parë dhe të dytë ndërqeveritare.
Kushtet e Këshillit Evropian për hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare përmblidhen si më poshtë:
Historia e Bashkimit Evropian
Historia e Bashkimit Evropian e ka zanafillën pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur 6 shtete të Evropës, përkatësisht Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu themeluan Komunitetet Evropiane, me qëllim që nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit ekonomik të promovonin paqen dhe prosperitetin në kontinent. Sot, në 2022, Bashkimi Evropian numëron 27 shtete anëtare dhe një sërë arritjesh duke e sjellë atë më pranë një bashkimi politiko-ekonomik sesa kurrë më parë. I konsideruar si një organizëm politik sui generis, ai është zhvilluar në shumë drejtime duke marrë kompetenca shtetërore në një sërë fushash të politikave publike, dhe duke krijuar një lidhje më të afërt me qytetarët evropianë.