
Brenda 24 orëve janë raportuar gjashtë raste të dhunës ndaj grave në qytete të ndryshme të Kosovës: Lipjan, Obiliq, Ferizaj, Klinë, Istog dhe Zubin-Potok. Në shumicën e rasteve dhuna është raportuar të jetë e ushtruar nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët, raporton policia, transmeton Insajderi.
Në Lipjan dhe Obiliq, dy burra u arrestuan nën dyshimet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshorteve – njëri është dërguar në vuajtje dënimi për shkak të një urdhërese gjykate, ndërsa tjetri u ndalua me vendim të prokurorit.
Në Ferizaj, një grua raportoi kërcënime nga ish-bashkëshorti, i cili u arrestua.
Në Klinë, një burrë dyshohet për dhunë të vazhdueshme dhe pas intervistimit nga policia palët janë liruar.
Në Istog, një burrë dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes. Me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti i fundit u raportua në Zubin-Potok, ku një grua u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima nuk kërkoi ndihmë mjekësore dhe deri më tani nuk është raportuar për arrestime.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë nën hetim.