Një kosovar që sot ka udhëtuar nga Zvicra drejt Kosovës i ka thënë Gazetës Insajderi se kanë mbetur të bllokuar në aeroplan.
“Jemi në tokë, por në aeroplan – s’po na lënë me zbrit”, ka thënë ai për Gazetën Insajderi.
Ndryshe, Policia ka njoftuar se aeroporti është mbyllur përkohësisht pas një alarmi për bombë.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësja e ANP’së, Valentina Gara ka thënë se udhëtarët dhe personeli janë evakuar.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”, ka deklaruar ajo.
Tash për tash Njësia K9 e Policisë së Kosovës se njësitet tjera janë duke e ekzaminuar aeroportin “Adem Jashari”.