Shemsi Jashari, aktivist i shoqërisë civile, ka thënë se Komunës së Podujevës iu është djegur serveri që mbanë të dhënat e administrates komunale.
Jashari këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka thënë se një gjë e tillë është shqetësuese, meqë kjo mund të krijojë rreziqe për privatësinë dhe sigurinë e informacioneve.
“Sipas informacioneve nga brenda, në komunën e Podujevës, përkatësisht në drejtorinë e Administratës është djegur serveri që mbanë të dhënat e admnisitratës Komunale”, ka deklaruar ai.
“Kjo situatë është me të vërtetë shqetësuese, dhe qytetarët kanë të drejtë të jenë të shqetësuar për sigurinë e të dhënave të tyre personale. Djegia e serverit që mban të dhënat e administratës komunale mund të krijojë rreziqe të mëdha për privatësinë dhe sigurinë e informacioneve. Komuna, duhet të ofrojnë transparencë mbi çfarë ka ndodhur, duke përfshirë:
1. Verifikimin e Sigurisë: Qytetarët duhet të dinë nëse janë marrë masa për të mbrojtur të dhënat e tyre dhe a ka pasur ndonjë formë tjetër mbrojtjeje para incidentit.
2. Informimi i Publikut:
Një komunikim i qartë dhe i hapur nga komuna, lidhur me incidentin dhe pasojat e tij është i domosdoshëm.
Kjo përfshin informacione mbi atë se cilat të dhëna mund të jenë prekur dhe çfarë masash janë ndërmarrë për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
3. Ndëshkimet për Papërgjegjshmëri:
Nëse konstatohen shkelje të politikave të sigurisë nga ana e drejtuesve, ata duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Insajderi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për ta konfirmuar vërtetësinë e këtij lajmi, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ende ndonjë përgjigje.
Insajderi po ashtu ka kontaktuar edhe me Komunën e Podujevës, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.