Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Serbia sot ka provokuar sërish, duke i lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën në komunën e Kamenicës.
Kurti tha se institucionet përkatëse të sigurisë së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat sipas tij, kanë për synim nxitjen e tensioneve.
“Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”, tha Kurti nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.