
Partia Demokratike e Kosovës Dega Gjilan, ka denoncuar një skandal financiar në këtë komunë.
Sipas kësaj partie kryetari ka blerë kamion në vlerë afro 50 mijë euro pa asnjë procedurë tenderimi.
“Skandali i kryetarit të komunës z. Alban Hysenit, që kontraktoi (bleu) vet kamionin prej 47,919.52 euro pa asnjë procedurë tenderimi, përbën shkelje të rëndë të ligjit të prokurimit, andaj institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë“, thuhet në njoftim.
Po ashtu në reagim thuhet se sistemi i shpenzimit të buxhetit komunal ka rënë nga funksioni dhe nuk dihet se ku shpenzohet paraja publike.
“Qeverisja e LVV-së në Gjilan ka humbur plotësisht kontrollën, ku ligjet e Republikës së Kosovës nuk respektohen, sistemi i shpenzimit të buxhetit komunal ka rënë nga funksioni dhe nuk dihet më se ku e si po shpenzohet paraja publike e qytetarëve, pra, është krijuar anarki totale institucionale.
Dy vizitat e kryetarit të komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni bashkë me dy drejtorë komunal në Gjermani, janë realizuar për të blerë një kamion për Ndërmarrjen Publike Lokale “TREGU” në vlerë prej 47,919.52 euro. Ky veprim skandaloz i tyre, është i dokumentuar prej fillimit e deri në përfundim. Ndërsa vetëm për një faturë për Gjermani janë paguar 3,151.52 euro, për udhëtim e dreka zyrtare nga buxheti i NPL Tregu. Ndërsa ka edhe mijëra euro tjera shpenzime që janë paguar nga buxheti i komunës”, thuhet aty.
Në komunikatën e publikuar në faqen e degës se PDK-së në Gjilan theksohet se kanë marrë konfirmim se nuk janë kryer procedura për tender.
“Partia Demokratike e Kosovës- Dega në Gjilan, i është drejtuar zyrtarisht menaxhmentit të NPL “Tregu” për tu informuar se a janë zhvilluar procedurat e prokurimit, dhe kemi pranuar konfirmimin se kompania e tyre nuk ka zhvilluar asnjë procedurë, përveç që janë ekzekutuar pagesat e faturave që i kanë shkuar nga zyra e kryetarit të komunës. Poashtu edhe nga Zyra e Prokurimit në Gjilan, është konfirmuar se nuk ka pasur tender të shpallur për blerjen e këtij kamioni.
Pra, procedurat e vetme që janë zhvilluar i ka bërë personalisht kryetari Hyseni dhe sekserët e tij Gjermani. Fillimisht ky kamion është doganuar në emër të Kuvendit Komunal Gjilan, pastaj është kthyer në emër të NPL Tregu, pas konstatimeve për shkelje ligjore e kaos të procedurave”, shkruan në status.